Persona të armatosur nga grupi palestinez Hamas morën të paktën 200 pengje dhe vranë rreth 1.400 njerëz gjatë një sulmi në mëngjesin e 7 tetorit të kryer nga Rripi i Gazas mbi komunitetet dhe bazat ushtarake në Izraelin jugor.
Izraeli është kundërpërgjigjur duke goditur Gazan me sulme ajrore, duke vrarë mijëra dhe ka thënë se do të veprojë derisa të lirohen pengjet, ndërkohë që do ta zhdukë edhe Hamasin.
Izraeli ka grumbulluar tanke dhe trupa pranë perimetrit të enklavës dhe u bëri thirrje palestinezëve që të evakuojnë veriun e Gazas përpara një pushtimi të pritshëm tokësor. Hamasi ka sugjeruar se pengjet mund të shkëmbehen me rreth 6 mijë palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Në vitin 2011, Izraeli u kritikua disa herë nga qytetarët e tij për shkëmbimin e 1027 të burgosurve palestinezë për të fituar lirimin e një ushtari izraelit.
Izraeli ka thënë se bllokada e enklavës nuk do të ketë fund pa lirinë e pengjeve izraelitë.
Numri i pengjeve
Rreth 200 persona, duke përfshirë 30 adoleshentë dhe fëmijë të vegjël dhe 20 persona mbi moshën 60 vjeç, po mbahen peng në Gaza, ka njoftuar transmetuesi publik izraelit Kan, duke cituar burime ushtarake.
Hamasi thotë se ka 200 pengje dhe se 50 të tjerë mbahen nga grupe të tjera të armatosura në enklavë. Ai bëri të ditur se më shumë se 20 pengje janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Ku janë pengjet?
Izraeli thotë se pengjet u dërguan në Gaza, por vendndodhja e tyre e saktë brenda enklavës nuk dihet, duke e bërë shpëtimin e tyre më të komplikuar. Zyrtarët kanë thënë se shumë mund të mbahen në kufirin e tuneleve nën Gaza që trupat izraelite i quajnë “Metroja e Gazas”.
Hamasi ka publikuar të hënën një video të Mia Schemit, një gruaje 21-vjeçare franko-izraelite e kapur në një festë kërcimi. Në video, ajo shfaqet duke u trajtuar për një lëndim në krah nga një punonjës i paidentifikuar mjekësor.
Kombësia e pengjeve
Mes pengjeve ka njerëz nga dhjetëra vende, gjersa shumë prej tyre kanë edhe nënshtetësi izraelite.
Njëzet ose më shumë amerikanë janë të zhdukur, ka treguar këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, duke shtuar se ai nuk mund të thoshte se sa prej tyre mbaheshin peng. Senatori republikan, Jim Risch u tha gazetarëve të martën se 10 nga pengjet ishin amerikanë.
Tajlanda ka njoftuar se shkon në 17 numri i shtetasve të saj të mbajtur në burg. Tetë gjermanë janë mes pengjeve, sipas mediave lokale.
Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez, ka theksuar në një video-telefonatë me familjet se 16 nga bashkatdhetarët e tij po mbaheshin në burg.
Të paktën nëntë shtetas britanikë janë vrarë dhe shtatë janë të zhdukur, bëri të ditur zëdhënësi i kryeministrit, Rishi Sunak. Gjatë një udhëtimi në Izrael, Sunak u takua me familjet e dy prej të zhdukurve që besohet se janë marrë peng dhe janë duke u mbajtur në Gaza.
Franca nuk ka thënë saktësisht se sa nga qytetarët e saj mbahen në Gaza, megjithëse janë shtatë të pagjetur pas sulmeve, nga të cilët disa mbahen peng.
Ofir Engel, shtetas holandez 18-vjeçar, u rrëmbye nga Kibbutz Be’eri dhe u dërgua në Gaza, sipas qeverisë holandeze.
Portugalia ka njoftuar se supozon se katër portugez-izraelitë që janë zhdukur janë marrë peng.
Izraelito-kiliania, Dafna Garcovich u mor peng me bashkëshortin e saj spanjoll, Ivan Illaramendi, ka treguar babai i saj.
Italia thotë se dy shtetas të dyfishtë italo-izraelitë janë të zhdukur, që supozohet se janë rrëmbyer.
Krahu i armatosur i Hamasit ka theksuar më 16 tetor se jo-izraelitët e rrëmbyer ishin “mysafirë” të cilët do të liroheshin “kur rrethanat në terren ta lejojnë”.
Cilët janë hapat e qeverive?
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka emëruar një gjeneral në pension, Gal Hirsch, si koordinator të Izraelit për pengjet dhe personat e zhdukur.
Ndërmjetësuesit e Katarit kanë thënë se janë përpjekur të negociojnë lirinë për gratë dhe fëmijët izraelitë të kapur nga Hamasi në këmbim të lirimit të 36 grave dhe fëmijëve palestinezë nga burgjet e Izraelit, ka treguar për Reuters një burim i informuar mbi bisedimet. Deri më tani, nuk ka asnjë indikacion që një marrëveshje mund të jetë në dispozicion.
Turqia po bisedon gjithashtu me Hamasin për të siguruar lirimin e të huajve, civilëve dhe fëmijëve, ka thënë ministri i Jashtëm Hakan Fidan. Ai i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Andalou se vendet duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë kanë kërkuar ndihmë nga Turqia për të fituar lirimin e qytetarëve të tyre.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka theksuar se administrata e tij po punon pa pushim për t’i gjetur pengjet amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një ekip të vogël të forcave të operacioneve speciale në Izrael për të ndihmuar me inteligjencën dhe planifikimin për çdo operacion eventual për t’i shpëtuar pengjet.
Rishi Sunak ka thënë se qeveria e tij po bisedon me partnerët në rajon për të ndihmuar në sigurimin e kthimit të pengjeve.
E Fernandez i Argjentinës ka thënë se qeveria e tij po bisedonte me forcat e inteligjencës izraelite për të gjetur pengjet argjentinase.
Gjermania ka hapur një hetim ndaj anëtarëve të Hamasit për vrasje të dyshuar, vrasje dhe pengmarrje. Sipas ligjit gjerman, prokurorët janë të detyruar të hetojnë krimet e dyshuara jashtë vendit nëse përfshijnë shtetas gjermanë.
Reagimet e familjarëve
Qytetarët amerikanë në Tel Aviv i kërkuan Bidenit të përdorë të gjitha burimet për të gjetur dhe shpëtuar të afërmit e tyre të rrëmbyer.
Qindra demonstrues u mblodhën në Times Square të Nju Jorkut të enjten për të kërkuar lirimin e pengjeve, duke mbajtur tabela që tregojnë fytyrat e njerëzve që besohet se mbahen, duke përfshirë foshnjat dhe të moshuarit.
Familjet e qytetarëve të zhdukur franko-izraelitë i kërkuan presidentit francez, Emmanuel Macron të ndihmojë në gjetjen e të afërmve të tyre të zhdukur.
Familjet e pengjeve gjermane thanë se do të mbajnë një tubim në Berlin të dielën për të kërkuar lirimin e të afërmve të tyre pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Tel Aviv.
Përktheu: Blerta Haxhiu