Botë

Peaky Blinders të Ukrainës

Peaky Blinders të Ukrainës

Ushtar i njësisë elitare me dronin e teknologjisë së lartë Foto: BBC

Ofensiva e re e Rusisë në rajonin e Kharkivit, edhe një herë ka ngritur pyetje nëse Ukraina mund ta fitojë me të vërtetë këtë luftë. Kjo me siguri i ka vënë në pah mangësitë në mbështetjen perëndimore dhe tensionet mes forcave të armatosura ukrainase. Por njësitë elitare ukrainase janë bërë arma më e fortë e kësaj lufte

Në fshatin Lyptsi, forcat ukrainase duket se e kanë mposhtur ofensivën e befasishme të Rusisë.
Disa javë më parë rusët kanë qenë duke avancuar shpejt drejt Kharkivit. Por me ndihmën e përforcimeve, Ukraina është duke e ndaluar ngadalë valën e tyre.

Megjithatë, kërcënimi nga veriu nuk është zhdukur. Lyptsi është akoma në shënjestër. E aty afër dëgjohen zhurmat e predhave që bien.

Dy ushtarë të njësisë elitare ukrainase i mbajnë armët e tyre jashtë dritareve të veturës. Ata e skanojnë zonën për dronë kamikazë. Ata janë bërë arma më e fortë e kësaj lufte. 

Kjo njësi ukrainase është gati t’i përdorë këta dronë gjithashtu. Ata e quajnë veten “Peaky Blinders”, sipas serisë televizive. 

Oleksandri, lideri i tyre, thotë se në pikën kulminante të luftës ata kanë filluar t’i ruajnë rrugët e tyre me armë, të veshur me rroba civilësh. Ai thotë se kjo është sikur një skenë nga seria.

Por ata nuk janë më vullnetarë të paorganizuar. Tani janë të ushtruar për betejë dhe janë trajnuar nga forcat speciale perëndimore. Tani janë Peaky Blinders me teknologji të lartë, që po përdorin dronë, të lirë dhe të vegjël.

Gjithsesi, ata e kanë mbajtur emrin dhe veshin kapele të sheshta, me moton e tyre të qepur në pjesën e pasme – “Ta gjejmë dhe ta shkatërrojmë”.

Gjatë javëve të fundit Oleksandri ka qenë duke luftuar për shtëpinë e tij.

Ai i ka përdorur si fermat ashtu edhe fushat afër strehimores së tyre ushtarake – të fshehur pas pemëve. Para luftës, ai ka rritur dredhëza atje. Por tani është duke mbjellë bomba.

Që nga fillimi i ofensivës, ekipi Peaky Blinders thotë se kanë vrarë ose plagosur më shumë se 100 ushtarë rusë.

Ata operojnë si forcë e vogël ajrore me dhjetëra dronë dhe një arsenal bombash – të tilla si ato që i shkatërrojnë tanket, i shënjestrojnë grupet e këmbësorisë ose ushtarët individual.

Ata ose i lëshojnë bombat ose i përdorin dronët kamikazë, të cilët i nisin në drejtim të një shënjestre. Këta dronë janë të njohur gjithashtu si dronë FPV (First Person View) – dron i kontrolluar nga një njeri. 

Këtë ditë ata janë duke hasur në problem për të gjetur shënjestra të reja. 

E kjo është provë që ata janë duke pasur sukses. Rusët janë duke u fshehur. 

Për ta kaluar kohën, ata përdorin disa nga dronët e mëdhenj për t’i çarmatosur trupat që i kanë vrarë. Të pajisur me një grep, ata arrijnë ta rrëmbejnë një pushkë që gjendej pranë një ushtari rus të vdekur.
Ata nuk janë vetëm duke vrarë, por gjithashtu janë duke ua marrë armët. 

Dronët e kanë transformuar këtë luftë deri në një shkallë.

Por Antoni, vëllai i madh i Oleksandrit, e di që dronët nuk janë të mjaftueshëm për t’i mposhtur rusët.
“Ne mund t’ua ndalojmë sulmet përmes dronëve dhe t’i lëndojmë ata”, thotë ai, “por, fatkeqësisht, nuk mund të fitojmë vetëm me ta”. 

Ai thotë se armët me rreze të gjatë që arrijnë t’i shënjestrojnë forcat ruse të grumbulluara afër kufirit “mund ta kishin parandaluar këtë ofensivë”.

Rusët gjithashtu, sikur ata, kanë gjetur mënyra për t’i bllokuar sinjalet e tyre duke e përdorur sulmin elektronik.

Kur Peaky Blinders arrin ta gjejë një shënjestër të re, sinjalet e dronëve bllokohen para se të arrijnë të vrasin. Ata mund t’i humbasin katër ose pesë dronë në ditë.

Pavarësisht pengesave, Oleksandri thotë se ofensiva e Kharkivit u ka dhënë njerëzve të tij të lodhur një valë të dytë të energjisë e të fuqisë. Më herët, ata janë frikësuar se bota ishte duke e humbur interesin. Por ai e di që akoma ka rrezik, pa fund të dukshëm.

Ai thotë se pret që konflikti do të zgjasë për një kohë të gjatë “ndoshta për disa vjet ose madje edhe dekada”. Asnjëra palë, thotë ai, nuk e ka fuqinë për ta nisur një sulm të madh. Për t’i shtyrë rusët në kufirin e tyre ai thotë se Ukrainës do t’i duhet mbështetje “kolosale” nga Perëndimi.

Por për tani, ofensiva e fundit ruse është duke u penguar.

Oleh Syniehubovi – kreu i administratës ushtarake të Kharkivit – beson se plani origjinal i rusëve ka qenë arritja e qytetit të Kharkivit. Ai thotë se ushtarët rusë, të kapur së fundmi, kanë treguar se qëllimi i tyre ishte ta pushtonin qytetin Vovchansk për dy ditë dhe pastaj ta arrinin qytetin Kharkiv brenda pesë ditëve. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka mohuar se marrja e qytetit ishte pjesë e planit të tij.
Syniehubovi beson se dikur rusët mund të shtyhen prapa drejt kufirit – ku kanë qenë në vitin 2022. Por ai shton: “Çlirimi i territorit është vetëm gjysma e betejës. Gjysma tjetër është ta ruajmë atë”.
Ofensiva e re e Rusisë në rajonin e Kharkivit, edhe njëherë ka ngritur pyetje nëse Ukraina mund ta fitojë me të vërtetë këtë luftë.

Kjo me siguri i ka vënë në pah mangësitë në mbështetjen perëndimore dhe tensionet mes forcave të lodhura e të armatosura ukrainase – të cilët janë shpërndarë, me mungesë në armë dhe trupa.

Edhe nëse Ukraina arrin ta ndalojë sulmin e fundit, akoma është duke humbur territor përgjatë 1300 kilometrave të vijës së frontit. Ukraina gjithashtu e ka pasur të pamundur të krahasohet me makinën luftarake të Rusisë – me aftësinë e saj për të sjellë trupa te rinj dhe aftësinë për t’i riarmatosur.

“Perëndimi i frikësohet Rusisë”

Ukraina beson se shumica e fajit i takon mosvendosmërisë së aleatëve të saj.

Këtë javë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka shprehur shqetësimet rreth mbështetjes së pakët perëndimore. Ai i ka akuzuar aleatët se “janë të frikësuar nëse Rusia e humb luftën” dhe se ata dëshirojnë vetëm që Ukraina “ta fitojë luftën në atë mënyrë që Rusia nuk humbet”. 

Me këtë Ukraina e nënkupton vonesën e fundit nga mbështetja ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ihor Romanenko, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, ka thënë se SHBA-ja e ka “organizuar një mundësi gjashtëmujore për rusët”.

Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme të Ukrainës, ka thënë se vonesat e tilla gjithashtu tregojnë për ndarje në politikat e huaja të Perëndimit. 

“Mua më duket se disa veç se kanë rënë dakord për ndarjen e Ukrainës”, ka thënë Merezhko.
Ai ka thënë se Perëndimi duket sikur e ka politikën e tillë që përpiqet ta mënjanojë disfatën totale të Ukrainës, teksa i ruhet konfliktit direkt me Rusinë – “kur i ndjek të dy qëllimet, kjo të ndalon të vendosësh”, ka thënë ai.

Romanenko e ka folur këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Perëndimi është i frikësuar nga Rusia”, ka thënë ai. “Kjo duhet të tejkalohet”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes ukrainase ka thënë se pakoja e fundit e ndihmës ushtarake nga SHBA-ja do të jetë e mjaftueshme për ta vazhduar operacionin e mbrojtjes deri në fund të këtij viti.

Me fjalë të tjera, nuk është e mjaftueshme për ta nisur ofensivën e vështirë dhe të kushtueshme për ta rimarrë territorin.

Oleksandr Merezhko ka thënë se pakoja amerikane e ndihmës “vetëm na jep shans më të mirë për të mbijetuar dhe për ta mbrojtur vijën e frontit”. Çka i është dashur Ukrainës, ka thënë ai, ishte angazhimi afatgjatë dhe mbështetja e vazhdueshme.

Mungesa e armëve është bërë më e rëndë, për shkak të hezitimeve mbi atë që Perëndimi është i gatshëm ta ofrojë.

Romanenko ka thënë se forcat ajrore ukrainase duhet të ishin përforcuar me avionë F-16. Ai e ka quajtur vonesën “frikacake”.

Shqetësime të ngjashme ka edhe rreth përdorimit të armëve me rreze të gjatë të furnizuara nga Perëndimi. SHBA-ja nuk dëshiron që ato të gjuhen drejt territorit rus. Merezhko ka thënë, “Nëse jemi të limituar për t’i përdorur vetëm në territorin tonë, ne vetëm sa do të hasim në pengesa”.
Ai ka besuar se drejtimi i luftës do të ndryshojë vetëm kur Rusia i ndjen pasojat e luftës në territorin e saj.

Në vijat e frontit, Antoni thotë se Ukraina e ka vëzhguar rritjen e forcave ruse përtej kufirit. Ai thotë se nëse ushtarët ishin shënjestuar më herët, “Ne mund ta kishim parandaluar ofensivën”.

Si do të përfundojë kjo?

Brenda Ukrainës, ekziston njohja në rritje se ajo nuk do të arrijë ta fitojë luftën vetëm përmes aspektit ushtarak.

Oleksandr Merezhko e pranon se Ukraina është duke pësuar humbje të mëdha. 

“E di se jemi duke hasur në probleme, se gjysma e rrjeteve të energjisë dhe një e treta e ekonomisë është shkatërruar. Jemi duke pësuar humbje të njerëzve dhe nuk ka garantim se brenda vitit do t’i kemi armët që na nevojiten”.

Merezkho nuk beson se do të ketë ndonjëherë bisedime të paqes me Putinin. Por ai nuk i përjashton bisedimet për armëpushim.

Ai nuk do e pranojë ndarjen e Ukrainës, por e pranon se rimarrja e territorit të pushtuar mund të jetë proces i gjatë. Ai e ka përshkruar vendin e tij si “të lodhur dhe të inatosur, por jo si pranues të disfatës”. 

Romenenko gjithashtu beson se rimarrja e tokës së humbur Ukrainase mund të jetë e ngadaltë dhe do të kërkojë “punë ushtarake dhe diplomatike”.

Ukraina nuk është gati t’i dorëzohet luftës. Por ka rritje të njohjes se do t’i duhet, në një pikë, t’i konsiderojë mënyrat e tjera për t’i dhënë fund asaj. 

Megjithatë, sfida dhe vendosmëria e Ukrainës për të luftuar nuk ka pushuar – as me ngecjet e fundit. Akoma nuk ka pësuar goditje fatale në Kharkiv. Në fakt është duke treguar, edhe njëherë, se mund t’i sfidojë shanset – edhe në momentin më të dobët.