Botë

Von der Leyen fiton edhe një mandat në krye të Komisionit Evropian

Ursula von der Leyen

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten për Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Evropian.

Ursula von der Leyen, një politikane gjermane e qendrës së djathtë, ka fituar votën e Parlamentit Evropian për të qëndruar si presidente e Komisionit Evropian për një mandat të dytë pesëvjeçar.

401 eurodeputetë votuan pro, 284 kundër dhe 15 abstenuan.

Von der Leyen kryesoi Komisionin gjatë dy krizave të mëdha, pandemisë Covid dhe pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Ajo ka fituar respekt në mesin e krerëve të shteteve dhe qeverive për mbështetjen e saj të vendosur ndaj Kievit dhe aftësinë për të kultivuar marrëdhënie të ngushta me aleatët e Evropës.

Konfirmimi i saj për një mandat tjetër si shefe e Komisionit do të sjellë lehtësim për shumë kryeqytete të BE-së, të cilat kanë kërkuar vazhdimësi në Bruksel mes pasigurisë politike në disa shtete anëtare, luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe shqetësimeve për ndikimin e mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme në SHBA.


Von der Leyen zotohet të punojë për forcimin e mbrojtjes së Evropës

Von der Leyen paraqiti një program të fokusuar në prosperitetin dhe sigurinë, ndërsa ajo kërkoi mbështetje nga ligjvënësit për një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të organit të fuqishëm ekzekutiv të Bashkimit Evropian, raporton Reuters.

"Pesë vitet e ardhshme do të përcaktojnë vendin e Evropës në botë për pesë dekadat e ardhshme. Në këto vite do të vendoset nëse ne e formojmë të ardhmen tonë ose do ta lëmë atë të formësohet nga ngjarjet apo nga të tjerët”, ka deklaruar ajo përpara një votimi të fshehtë për kandidaturën e saj më vonë.

Pasi u zotua të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet në luftën e saj kundër pushtimit rus, von der Leyen tha se liria e Evropës është në rrezik dhe ajo duhet të investojë më shumë në mbrojtje.
Von der Leyen, një ish-ministre gjermane e Mbrojtjes, është zotuar të krijojë "një Bashkim të vërtetë Evropian të Mbrojtjes", me projekte kryesore në mbrojtjen ajrore dhe kibernetike.

Ajo gjithashtu u zotua t'u përmbahet objektivave të përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, një paketë klimatike që ishte një nga politikat kryesore të mandatit të saj të parë.


PE-ja pritet të vendosë sot për rizgjedhjen e Von der Leyen në krye të Komisionit Evropian

Parlamenti Evropian pritet të vendosë sot (e enjte) nëse Ursula von der Leyen do të rizgjidhet si presidente e Komisionit Evropian, në një votim që ose do të rezultojë me një mandat të dytë për udhëheqësen e parë femër të ekzekutivit të BE-së, ose do ta futë bllokun në një krizë verore.

Von der Leyen u emërua nga krerët e BE-së muajin e kaluar për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të ekzekutivit të BE-së, i cili është përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e ligjit të BE-së. Tani ajo duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 361 eurodeputetëve, një shumicë e thjeshtë e parlamentit të sapozgjedhur, më të prirur nga e djathta, raporton The Guardian.

Raportohet se von der Leyen i ka numrat, pasi tri grupet që e mbështetën zyrtarisht atë në vitin 2019 - Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, Socialistët dhe Demokratët dhe qendrat Reneë, kanë gjithsej 401 eurodeputetë.

Por grupet e Parlamentit Evropian nuk janë shumë të disiplinuar dhe ekspertët presin që rreth 10-15% e eurodeputetëve të devijojnë nga linja partiake nën mbulimin e votimit të fshehtë. Ajo nuk mund të llogarisë as në mbështetjen unanime të grupit të saj PPE.

Grupi Reneë mund të jetë veçanërisht i vështirë për von der Leyen pasi katër anëtarë të tij kanë thënë se nuk do të votojnë për të, duke argumentuar se ajo ka qenë shumë mbështetëse e Izraelit në luftën e tij kundër Hamasit në Gaza. Billy Kelleher, një zëvendëspresident i Reneë, ka thënë se nën mbikëqyrjen e saj, BE-ja nuk ishte “parë si një ndërmjetës i ndershëm në procesin e paqes në Lindjen e Mesme”.

Që nga emërimi i saj, von der Leyen ka kaluar orë të tëra në dhoma takimesh me grupe të ndryshme politike, duke dëgjuar listat e tyre të dëshirave dhe duke bërë thirrje për votat e tyre.

Bisedimet brenda grupeve vazhduan deri të mërkurën në mbrëmje. Ajo do të paraqesë programin e saj për pesë vjetët e ardhshme në një fjalim në asamblenë e Strasburgut në orën 9 të mëngjesit me kohën lokale të enjten.

Ky program ka të ngjarë të fokusohet në rritjen e konkurrencës së BE-së mes shqetësimeve veçanërisht nga grupi i saj PPE, se pesha ekonomike e Evropës po zvogëlohet përballë SHBA-së dhe Kinës. Ajo pritet gjithashtu të premtojë vazhdimin e marrëveshjes së gjelbër dhe të parashtrojë ide për të financuar tranzicionin e gjelbër që kërkohet për të përballuar krizën klimatike.