Të hyrat mesatare do të bien me afërsisht një të pestën në 26 vjetët e ardhshme, si rezultat i krizës klimatike, sipas një studimi që parashikon se dëmtimi do të jetë gjashtë herë më i lartë se çmimi i kufizimit të ngrohjes globale.
Rritja e temperaturave, të reshurat më të mëdha dhe moi ekstrem më intensiv parashihet se do të shkaktojnë 38 trilionë dollarë shkatërrim çdo vit nga mesi i shekullit, sipas një studimi, i cili është analiza më gjithëpërfshirëse e llojit të saj e ndërmarrë ndonjëherë, dhe gjetjet e së cilës janë publikuar në revistën "Nature", raporton The Guardian.
Kjo do të ketë një ndikim në mënyrë disproporcionale të rëndë tek ata që janë më pak përgjegjës për përkeqësimin e klimës, duke përkeqësuar kështu edhe më tej pabarazinë.
Revista thotë se humbja mesatare e përhershme e të ardhurave në mbarë botën do të jetë 19% deri në vitin 2049.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë ulja do të jetë rreth 11%, ndërsa në Afrikë dhe Azinë Jugore do të jetë 22%, me disa vende të tjera me përqindje shumë më të larta se kjo.
"Është shkatërruese”, ka deklaruar Leonie Wenz, një shkencëtare në Institutin e Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik dhe një nga autorët e studimit.
“Jam mësuar që puna ime të mos ketë rezultate të mira shoqërore, por u befasova se sa të mëdha ishin dëmet. Dimensioni i pabarazisë ishte vërtet tronditës”, ka shtuar ajo.
Studimi shqyrtoi gjithashtu gjysmën e dytë të këtij shekulli, ku veprimet njerëzore tani mund të bëjnë ende një ndryshim të madh.
Nëse biznesi si zakonisht vazhdon, autorët parashikuan humbje mesatare të të ardhurave prej më shumë se 60% deri në vitin 2100. Por nëse emetimet bien në zero neto deri në mesin e shekullit, rënia e të ardhurave do të stabilizohet nga mesi i shekullit me rreth 20%.