E detyruar që të largohet nga shtëpia e saj si pasojë e ofensivës shtatë-muajshe të Izraelit në Gaza, Salwa al-Masri ka pak shpresë se gjendja e vështirë do të lehtësohet pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Izraelin që ta ndalë ofensivën në Rafah.
“Masakrat vetëm po rriten”, ka thënë ajo derisa po gatuante një ushqim mbi një zjarr jashtë një tende në Deir al-Balah.
“Ata nuk duhet të thonë asgjë, derisa veprimi është ndryshe”, ka shtuar Masri e cila ishte larguar nga shtëpia e saj në veri të Gazës, në fillimet e luftës.
“Ne duam që këto vendime të zbatohen në praktikë”, është shprehur ajo.
Gjyqtarët në Gjykatën Botërore, e njohur edhe si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), urdhëruan Izraelin të premten të ndalojë ofensivën e tij në provincën Rafah.
Ky ishte një vendim historik emergjent për një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut, që akuzonte Izraelin për gjenocid në sulmin e tij në Rripin e Gazës.
Por Gjykata Botërore nuk ka mjete për të zbatuar urdhrat e saj, dhe ministri izraelit i kabinetit të luftës Benny Gantz, ka thënë se Izraeli do të vazhdojë luftën e tij "të drejtë dhe të nevojshme" kundër grupit militant Hamas për të kthyer pengjet e tij dhe për të garantuar sigurinë e tij.
Luftëtarët e Hamasit vranë rreth 1200 njerëz në Izrael në sulmin e 7 tetorit dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite. Autoritetet shëndetësore të Gazës thonë se më shumë se 35,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën hakmarrëse izraelite, e cila ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës.
Izraeli ka hedhur poshtë akuzat e Afrikës së Jugut se po kryen gjenocid kundër palestinezëve në luftën e Gazës, duke argumentuar se po vepron për të mbrojtur veten dhe për të luftuar Hamasin.
"Izraeli nuk kujdeset për botën, ai vepron sikur të ishte mbi ligjin sepse administrata e SHBA-së po e mbron atë kundër ndëshkimit”, ka thënë Shaban Abdel-Raouf, një palestinez i zhvendosur katër herë nga ofensiva izraelite.
"Bota nuk është ende e përgatitur të ndalojë masakrën”, ka thënë Abdel-Raouf, i cili u kontaktua me telefon.
Izraeli filloi ofensivën në Rafah në fillim të këtij muaji, duke thënë se synon të zhdukë luftëtarët e mbetur të Hamasit të ngujuar atje.
Sulmet e njëkohshme izraelite në skajet veriore dhe jugore të Gazës këtë muaj kanë shkaktuar një eksod të ri të qindra mijëra palestinezëve që ikën nga shtëpitë e tyre, dhe kanë ndërprerë rrugët kryesore të hyrjes për ndihma, duke rritur rrezikun e urisë.
Avokatët e Afrikës së Jugut i kërkuan GJND-së javën e kaluar të vendosë masa urgjente, duke thënë se sulmet e Izraelit në Rafah duhet të ndalen për të siguruar mbijetesën e popullit palestinez.
Zyrtarë të Hamasit kanë thënë se e mirëpresin vendimin e Gjykatës Botërore, por kanë shtuar se nuk është i mjaftueshëm "pasi agresioni pushtues në të gjithë Rripin e Gazës dhe veçanërisht në Gazën veriore është po aq brutal dhe i rrezikshëm".
“Palestinezët kishin nevojë për një ndërprerje të menjëhershme të luftës dhe ata donin të shihnin veprime për ta arritur këtë. Ne nuk kemi nevojë për një deklaratë”, ka thënë palestinezi i zhvendosur Nabil Diab.
LEXO EDHE: