Forcat izraelite u tërhoqën nga disa rrethe të qytetit të Gazës gjatë natës pas një ofensive të ashpër ushtarake njëjavore, duke lënë dhjetëra të vdekur e shumë shtëpi e rrugë të shkatërruara në zonën më të madhe urbane të enklavës palestineze, bënë të ditur banorët dhe shërbimi i shpëtimit të premten.
Ofensiva, 10 muaj pas fushatës së Izraelit për të eliminuar militantët e Hamasit, u zhvillua teksa ndërmjetësuesit e mbështetur nga SHBA-ja kërkuan të finalizonin një marrëveshje paqeje, bazuar në të cilën do të liroheshin pengjet e mbetura të marra nga militantët në sulmin e tyre ndërkufitar më 7 tetor, raporton Reuters.
Shërbimi i Emergjencave Civile të Gazës ka njoftuar se ekipet kishin mbledhur rreth 60 trupa palestinezë të vrarë nga forcat izraelite gjatë javës së kaluar nga zona e Tel Al-Hawa dhe lagjen Sabra në qytetin e Gazës.
Si banorët ashtu edhe ekipet e shpëtimit paralajmëruan se gjersa tanket tërhiqeshin nga disa zona, snajperët dhe tanket izraelite vazhduan të kontrollonin disa vende dhe paralajmëruan banorët që të mos përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në ato zona.
Ushtria izraelite kishte njoftuar të enjten se forcat e saj po punonin për të çmontuar kapacitetet e Hamasit në qytetin e Gazës dhe se ajo “ndjek ligjin ndërkombëtar dhe merr masa paraprake të mundshme për të ulur dëmtimin e civilëve”.