Botë

Pas bastisjes dyjavore trupat izraelite tërhiqen nga spitali Shifa

Spitali Shifa, bastisjet

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite e ka përshkruar bastisjen në spitalin Shifa si një fitore të madhe në fushëbetejë në luftën afro gjashtëmujore dhe ka thënë se trupat e saj kanë vrarë 200 militantë në këtë operacion. Pretendimet se të gjithë ishin militantë nuk kanë arritur të konfirmohen.

Ushtria izraelite u tërhoq nga spitali më i madh i Gazës herët të hënën pas një bastisjeje dyjavore e luftime të ashpra, raporton agjencia “AP”. 

Xhirimet kanë treguar një shkatërrim të gjerë të ndërtesave kryesore të kompleksit spitalor.

Ushtria izraelite e ka përshkruar bastisjen në spitalin Shifa si një fitore të madhe në fushëbetejë në luftën afro gjashtëmujore dhe ka thënë se trupat e saj kanë vrarë 200 militantë në operacionin. Pretendimet se të gjithë ishin militantë nuk kanë arritur të konfirmohen.

Por, bastisja erdhi në një moment ku frustrimi në Izrael po rritet. Dhjetëra e mijëra protestuan të dielën kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe kërkuan që të bëjë më tepër që të sillen në shtëpi dhjetëra pengje që po mbahen ende në Gazp. Ishte protesta më e madhe antiqeveritare që nga fillimi i luftës.

Luftimet rreth spitalit Shifa kanë dëshmuar se grupi militant Hamas ende mund të bëjë rezistencë edhe në zonat e goditura më së rëndi. Izraeli ka thënë se gati tërësisht ka shpërbërë Hamasin në veri të Gazës.

Bastisja e luftimet goditën rëndë spitalin që dikur ishte zemra e sistemit shëndetësor të Gazës.

Izraeli ka thënë se nisi bastisjen e fundit në Shifra pasi zyrtarët e lartë ushtarakë të Hamasit ishin rigrupuar dhe po planifikonin sulme. Identifikoi gjashtë zyrtarë të krahut ushtarak të Hamasit, të cilët u vranë brenda spitalit gjatë bastisjes. Po ashtu tha se ka sekuestruar armë dhe inteligjencë të vlefshme.

Bastisja nxiti luftime të ashpra disaditore rreth spitalit, ku dëshmitarët raportuan për sulme ajrore, granatime të shtëpive dhe po ashtu se trupat hynë shtëpi pas shtëpie për t’i detyruar banorët të largoheshin.

Pasi trupat u tërhoqën, qindra palestinezë u kthyen për të kërkuar të dashurit e tyre apo për të parë dëmet.

Në mesin e të vdekurve ishin Ahmed Maqadma dhe nëna e tij – të dy mjekë në Shifa – dhe kushëriri i tij, ka thënë doktori Ghassan Abu Sitta, një palestinezo-britanik që kishte qenë vullnetar në spitalin Shifa dhe spitale tjera gjatë muajve të parë të luftës, para se të kthehej në Britani.

Fati i të treve kishte qenë i paditur që nga java e kaluar. Të hënën familjarët gjetën trupat me plagë të marra nga armët dhe ishin një bllok larg spitalit, ka thënë Abu Sitta, që është në kontakt me familjen e të ndjerëve.

Bassel Al-Hilou ka thënë se trupat e shtatë familjarëve të tij janë gjetur nën rrënoja të një shtëpie në afërsi të Shifas, ku ata po strehoheshin.

“Kishte masakër në shtëpinë e xhaxhait tim. Situata është e papërshkrueshme”, ka thënë al-Hilou.

Mohammed Mahdi, që ishte në mesin e atyre që u kthye në zonë, i ka përshkruar skenat si “shkatërrim total”. Ai tha se disa ndërtesa janë djegur tërësisht dhe se kishte parë së paku gjashtë trupa të pajetë, përfshirë dy në oborr të spitalit, ndonëse nuk dihet se kur kanë vdekur.

Të paktën 21 pacientë vdiqën gjatë bastisjes, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një postim në platformën X të dielën mbrëma.

Ai tha se mbi njëqind pacientë janë ende brenda kompleksit, përfshirë katër fëmijë e 28 pacientë në gjendje kritike. Ai tha se shumica kanë pasur probleme me plagë të infektuara apo dehidrim.

Ushtria e Izraelit ka mohuar se forcat e saja kanë lënduar ndonjë civil brenda kompleksit. Izraeli e ka akuzuar Hamasin se po i përdor spitalet për qëllime ushtarake dhe ka bastisur shumë spitale nëpër Gazë.

Kritikët e akuzojnë ushtrinë izraelite se po i rrezikon civilët me sjelljet e pakujdesshme dhe po e shënjestron sektorin e shëndetësisë.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, admirali Daniel Hagari, ka thënë se Hamasi dhe grupi më i vogël “Xhihadi Islamik” kishin krijuar brenda spitalit, bazat e tyre kryesore në veri. Ai e fajësoi Hamasin për shkatërrimin, duke thënë se luftëtarët kishin barrikaduar veten brenda reparteve të spitalit dhe po lansonin edhe predha.

Hagari tha se trupat arrestuan rreth 900 militantë të dyshuar gjatë bastisjes, përfshirë mbi 500 luftëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik dhe se sekuestruan mbi 3 milionë dollarë në valuta të ndryshme, si dhe armë.

Ai tha se dy ushtarë izraelitë kanë humbur jetën gjatë bastisjes.

Ushtria më herët kishte bastisur spitalin Shifa në nëntor, duke thënë se Hamasi po e kontrollon objektin dhe ka tunele nëntokësore. Tunelet i kishte shfaqur edhe në video.

Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit u futën në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë, e duke marrë rreth 250 pengje.

Izraeli reagoi me sulme ajrore, tokësore dhe detare në Gaza, që shkaktuan vdekjen e të paktën 32,845 palestinezëve, rreth dy të tretat e tyre gra e fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ministria nuk veçon civilët nga luftëtarët në përllogaritjet e saja.

Lufta ka zhvendosur shumicën e popullatës së Gazës dhe ka çuar te një krizë e rëndë e ushqimit. Veriu i Gazës, ku gjendet spitali Shifa, ka përjetuar shkatërrimet më të mëdha dhe ka qenë kryesisht i izoluar që nga tetori, duke çuar në një uri të gjerë.

Anijet e ndihmave arritën të hënën me rreth 400 tonë ushqime dhe furnizime, në një dërgesë që u organizua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuzhina Qendrore Botërore, organizata humanitare e themeluar nga kuzhinieri i famshëm Jose Andres. Muajin e kaluar u dërguan 200 tonë ndihma nga ajri.

Kryeministri i Izraelit, Netanyahu, ka premtuar t’i vazhdojë luftimet deri në shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e të gjitha pengjeve. Ai ka thënë se Izraeli së shpejti do ta zgjerojë operacionin tokësor edhe në qytetin jugor Rafah, ku gjenden rreth 1.4 milionë të zhvendosur nga pjesët e tjera të Gazës. Mirëpo, ai po përballet me presion të madh nga izraelitët që e fajësojnë për dështimet e sigurisë më 7 tetor dhe nga familjet e pengjeve që e fajësojnë se dështoi të arrinte marrëveshje përkundër javëve bisedime të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari e Egjipti.

Shtetet aleate, përfshirë edhe SHBA-në, e kanë paralajmëruar Izraelin kundër një pushtimi në Rafah.

Hamasi dhe militantët e tjerë besohet se mbajnë ende edhe rreth 100 pengje.