Botë

Pas Ballkanit, Rutte niset për në Washington për ta takuar Trumpin

Trump & Rutte

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do ta presë të enjten në Washington sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, ka raportuar “The Guardian”.

Gjatë ditëve të fundit Rutte ka qenë për vizitë zyrtare në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në Kosovë ai ka bërë thirrje për kompromis për të arritur marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë ai i ka dënuar veprimet separatiste të liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Vizita e Rutte në SHBA do të ndodhë në një moment kyç, pasi këto ditë po zhvillohen bisedimet në mes SHBA-së dhe Ukrainës për shfrytëzimin e mineraleve të rralla ukrainase nga korporatat amerikane.

Rutte po ashtu ka përkrahur edhe nismën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Absolutisht jam i bindur se SHBA-ja dëshiron të sjellë Ukrainën te kjo paqe e qëndrueshme”, ka deklaruar Rutte.