Liderët e SPD-së, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) kanë thënë se bisedimet eksploruese kanë qenë konstruktive dhe u kanë mundësuar që ta përcaktojnë udhëpërshkrimin drejt negociatave më formale. Po qe se ato rezultojnë me sukses, atëherë socialdemokrati Olaf Scholz do të bëhej lideri i ri i Gjermanisë
Lideri i Socialdemokratëve të qendrës së majtë në Gjermani, Olaf Scholz, ka hedhur të premten një hap tutje drejt pasimit të Angela Merkelit si kancelar, duke njoftuar se ai dhe liderët e dy partive më të vogla tani synojnë që të kalojnë në bisedimet zyrtare për koalicion.
Liderët e SPD-së, e cila ka dalë e para në zgjedhjet e muajit të shkuar, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) kanë thënë se bisedimet eksploruese kanë qenë konstruktive dhe u kanë mundësuar që ta përcaktojnë udhëpërshkrimin drejt negociatave më formale.
Komitetet e partive pritet që të votojnë gjatë fundjavës nëse ta bëjnë një gjë të tillë, duke i shpjerë subjektet e mundshme partnere drejt formimit të së ashtuquajturës aleancë “semafor” – bazuar në ngjyrat identifikuese të tyre – në veprimin e parë të tillë në nivel federal.
Të Gjelbrit dhe FDP-ja e kanë mbajtur të hapur opsionin për t’iu drejtuar konservatorëve, të cilët kanë qenë në pushtet për 16 vjet radhazi, po qe se bisedimet me SPD-në ngecin. Por sondazhet në nivel vendi kanë treguar se shumica e votuesve e mbështesin koalicionin “semafor” përderisa edhe figurat më të larta në radhët e konservatorëve të Merkelit kanë hequr dorë nga opsioni për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
“Një fillim i ri është i mundur me përbashkimin e tri partive”, ka thënë Scholz gjatë një konference për media. “Nëse partitë që janë kaq të ndryshme pajtohen rreth sfidave dhe zgjidhjeve të përbashkëta, atëherë kjo do të ishte mundësia për bashkimin e vendit tonë”, ka theksuar lideri i FDP-së, Christian Lindner.
Sipas planit të dalë nga bisedimet e koalicionit, qasje në të cilin ka siguruar Reutersi, partitë janë pajtuar për shumicën e pikëve të diskutimit, si për rolin qendror në partneritetin transatlantik dhe në NATO, si dhe nevojën për fuqizimin e Bashkimit Evropian.
Bashkëliderja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, ka theksuar se ky duhet të jetë koalicioni “i reformave dhe progresit për ta shndërruar këtë në dekadën e përtëritjes”.
Tri partitë kanë zhvilluar për më shumë se një javë bisedime eksploruese rreth mundësisë së formimit të një qeverie të koalicionit.
Po qe se bisedimet formale të shpallura të premten rezultojnë me sukses, atëherë Scholzi, që deri më tani ishte ministër i Financave dhe nënkancelar në qeverinë në largim, do të bëhet lideri i ri i Gjermanisë.
Koalicioni trepalësh që tani do të diskutohet asnjëherë më parë nuk është zbatuar në nivel qendror. Në rast të dështimit, alternativat e vetme politike do të përfshinin qeverisjen e prirë nga blloku CDU-CSU bashkë me të Gjelbrit dhe FPD-në, apo kthimi në “koalicionin e madh” të partive të mëdha.
Merkeli, e cila ka udhëhequr Gjermaninë që nga viti 2005, do të largohet zyrtarisht nga detyra e saj pas formimit të qeverisë së re.