Botë

Partia e Orbanit bojkoton seancën, vazhdon bllokimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO

Deputetët e partisë në pushtet në Hungari, “Fidesz”, kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të së hënës ku ishte paraparë të votohej për ta futur në agjendën legjislative kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO. Hungaria ka mbetur vendi i vetëm nga 31 anëtare të NATO-s që ende nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në aleancë

Deputetët e partisë së kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit të Hungarisë të hënën ku ishte paraparë të mbahej votimi për ta futur kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO në agjendën legjislative. Kjo vonesë 18-muajshe ka zemëruar aleatët e Hungarisë.

Partia në pushtet “Fidesz”, që ka shumicën absolute në Parlamentin e Hungarisë, ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO që nga korriku i vitit 2022, me pretendimin se politikanët suedezë kanë thënë “gënjeshtra të rënda” rreth kushteve të demokracisë në Hungari.

Pasi Parlamenti i Turqisë votoi në janar pro anëtarësimit të Suedisë në NATO, Hungaria ka mbetur anëtarja e vetme e aleancës ushtarake që ende nuk e ka aprovuar anëtarësimin e shtetit skandinav. Aleatët po bëjnë presion ndaj qeverisë nacionaliste që ta aprovojë anëtarësimin e Suedisë pa vonesa të mëtutjeshme.

Orban i tha sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, muajin e kaluar se do t’i bëjë thirrje partisë së tij që ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë “në rastin e parë që ofrohet”.

Seanca e të hënës në Parlamentin e Hungarisë u përkrah nga gjashtë parti opozitare, por deputetët e partisë “Fidesz” nuk morën pjesë, duke penguar tentimet që të futet kandidatura e Suedisë në agjendën legjislative.

Disa ambasadorë të shteteve anëtare të NATO-s morën pjesë në seancë, përfshirë edhe ambasadorin amerikan në Hungari, David Pressman.

Në një prononcim të shkurtër për media pas seancës, Pressman tha se SHBA-ja pret “ta shohë Hungarinë të veprojë me shpejtësi”.

“Anëtarësimi i Suedisë në NATO është një çështje që e prek direkt sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe prek sigurinë e aleancës sonë si tërësi. Kryeministri është zotuar ta mbledhë Parlamentin për t’i kërkuar që të veprojë sa më shpejtë të jetë e mundur. Sot ishte mundësia për ta bërë këtë”, tha Pressman.

Një grup bipartzian i deputetëve amerikanë javën e kaluar i bënë thirrje Orbanit që menjëherë ta ratifikojë kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke thënë se durimi me Hungarinë “po soset” pasi vazhdon ta vonojë këtë anëtarësim.

Në një deklaratë tjetër senatori amerikan Ben Cardin, kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Senat, ka përmendur edhe mundësinë të vendosen sanksione ndaj Hungarisë për sjelljen e saj, dhe e ka quajtur Orbanin “anëtarin më pak të besueshëm të NATO-s”.

Pas seancës të së hënës, Agnes Vidai, deputete e partisë liberale Koalicioni Demokratik, ka thënë se sjellja e Orbanit e ka vendosur “Hungarinë në një pozitë shumë të turpshme dhe poshtëruese” dhe se “nuk ka arsye” që qeveria aktuale ta bllokojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

“Mendoj se është shumë personale për Orbanin dhe është shumë joracionale ajo që po bën përkundër gjithë presionit që po vjen”, ka thënë Vadai. “Ai vetë duhet ta kuptojë se anëtarësimi i Suedisë do t’i shërbejnë interesave dhe sigurisë së shoqërisë hungareze”.

Zyrtarët hungarezë kanë dhënë indikacione se deputetët e partisë në pushtet “Fidesz” nuk do ta përkrahin votimin e kandidaturës së Suedisë në NATO, derisa kryeministri suedez Ulf Kristersson ta pranojë ftesën e Orbanit që ta vizitojë Budapestin për të negociuar për këtë çështje. Kristersson ka thënë se do ta vizitojë Hungarinë, por vetëm pasi Hungaria ta aprovojë anëtarësimin e shtetit të tij në NATO.

Në komunikatën e lëshuar nga “Fidesz” të hënën është thënë se ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO mund të bëhet gjatë një seance të rregullt parlamentare, “por presin që kryeministri suedez ta vizitojë së pari Hungarinë”.

“Nëse kjo është çështje e rëndësishme për suedezët, atëherë kryeministri suedez qartë se duhet të vijë në Budapest”, është thënë nga partia në pushtet.

Parlamenti i Hungarisë është planifikuar të mblidhet sërish më 26 shkurt. Por, Vidai, ka thënë se nuk ka garanci se partia e Orbanit do të angazhohet për një miratim të shpejt.

“Për fat të keq, nuk jam e sigurt nëse seanca e parë do të nisë me ratifikimin e Suedisë”, ka thënë deputetja Vidai.