Botë

Parlamenti suedez miraton zvogëlimin e moshës për ata që duan ta ndërrojnë gjininë

Parlamenti suedez

Parlamenti suedez

Parlamenti suedez ka kaluar të mërkurën një ligj që zvogëlon moshën e kërkuar për njerëzit që duan të ndryshojnë ligjërisht gjininë e tyre, nga 18 vjeç në 16 vjeç.

Të rinjtë nën moshën 18 vjeç do të kenë edhe më tutje nevojë që të marrin aprovimin e kujdestarit, të doktorit ose të Bordit Kombëtar të Shëndetësisë dhe Mirëqenies, raporton AP.

Sidoqoftë, një diagnozë e disforisë gjinore - e përcaktuar nga profesionistët mjekësorë si shqetësim psikologjik i përjetuar nga ata, shprehja gjinore e të cilëve nuk përputhet me identitetin e tyre gjinor - nuk do të kërkohet më.

Votimi ishte 234 për dhe 94 kundër, derisa 21 abstenuan. 

Koalicioni i qendrës së djathtë i kryeministrit konservator të Suedisë, Ulf Kristersson, ishte i ndarë për këtë çështje, me të moderuarit e tij dhe liberalët që mbështesin kryesisht ligjin, ndërsa kristiandemokratët e vegjël ishin kundër tij. 

Partia populiste me rrënjë të ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, të cilët mbështesin qeverinë në parlament, por nuk janë pjesë e qeverisë, gjithashtu e kundërshtuan atë. 

Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Spanja tashmë kanë legjislacion të ngjashëm. 

Në Mbretërinë e Bashkuar, parlamenti skocez në vitin 2022 miratoi një projekt-ligj, që lejon personat e moshës 16 vjeç e lart të ndryshojnë përcaktimin gjinor në dokumentet e identitetit me vetëdeklarim. 

Qeveria britanike vuri veton ndaj tij, një vendim që gjykata më e lartë civile e Skocisë e la në fuqi në dhjetor.