Botë

Parlamenti gjerman miraton rritjen masive të shpenzimeve për mbrojtje

Bundestagu

Foto: Associated Press

Dhoma e ulët e Parlamentit gjerman (Bundestagu), ka miratuar disa ndryshime kushtetuese që e lejojnë qeverinë e ardhshme federale të tejkalojë frenimet e borxhit si dhe kufizimet buxhetore, raporton DW.

Një total prej 513 deputetëve votuan në favor të ndryshimeve, ndërsa 207 deputetë votuan kundër. Sipas ligjeve në fuqi, dy të tretat e votave (489 sosh) janë të nevojshme për të shtyrë përpara ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet u realizuan përmes votave të partive CDU/CSU, SPD dhe Partisë së Gjelbërt, që u pajtuan në parim mbi propozimet javën e kaluar.

Partia e dytë më e madhe në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ishte kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese. E djathta ekstreme pretendon se me këto ndryshime do të rëndohet kostoja e brezave të tjerë në Gjermani.

Legjislacioni tani kalon në dhomën e lartë të parlamentit gjerman (Bundesrat), ku pritet të votohet të premten.

Blloku konservator CDU/CSU dhe Socialdemokratët, me të cilët po zhvilloheshin bisedimet për të formuar qeverinë e re, kanë shtyrë përpara propozimin për të relaksuar çështjen e borxhit publik. Me propozimin e ri shtetit i lejohet të rrisë borxhin për shpenzimet për mbrojtje dhe një “fond special” prej 500 miliardë eurosh dedikuar reformave infrastrukturore.

Frenimi i borxhit ishte vendosur në vitin 2009 pas krizës globale financiare, me qëllim që të limitohej kapaciteti gjerman i huamarrjes që të mbroheshin gjeneratat e ardhshme nga barra e borxheve të mëdha. Por viteve të fundit, veçanërisht pas krizave, siç ishin pandemia dhe lufta në Ukrainë, frenimi është parë si pengesë për rritjen ekonomike.

LEXO EDHE: