Ligjvënësit gjermanë e kanë miratuar të premten një plan të Qeverisë për ta bërë më të lehtë për personat transgjinorë, interseksual dhe ata jobinarë që të ndryshojnë emrin dhe gjininë e tyre në dokumentet zyrtare.
“Ligji i Vetëvendosjes” - një nga disa reformat sociale që Qeveria e koalicionit me prirje liberale të kancelarit, Olaf Scholz premtoi kur mori detyrën në fund të vitit 2021, pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor, raporton AP.
Kjo do t'i lejonte të rriturit të ndryshojnë emrin dhe gjininë e tyre ligjore në zyrat e gjendjes civile, pa formalitete të mëtejshme. Ata duhet të njoftojnë zyrën tre muaj përpara se të bëjnë ndryshimin.
“Ligji transeksual” ekzistues, i cili daton katër dekada më parë, kërkon që individët që duan të ndryshojnë gjininë në dokumentet zyrtare, së pari të marrin vlerësime nga dy ekspertë “të njohur mjaftueshëm me problemet e veçanta të transeksualizmit” dhe më pas një vendim gjykate.
Rregullat e reja lejojnë personat 14 vjeç e lart të ndryshojnë emrin dhe gjininë e tyre ligjor me miratimin e prindërve ose kujdestarëve.
Në rastin e fëmijëve më të vegjël se 14 vjeç, prindërit ose kujdestarët duhet të bëjnë aplikime në zyrën e gjendjes civile në emër të tyre.
Pas hyrjes në fuqi të një ndryshimi formal të emrit dhe gjinisë, nuk do të lejohen ndryshime të mëtejshme për një vit. Legjislacioni i ri parashikon që operatorët, për shembull, të palestrave dhe dhomave të zhveshjes për gratë të vazhdojnë të vendosin se kush ka qasje.
Nyke Slawik, një nga dy gratë transgjinore që u zgjodhën si ligjvënëse në vitin 2021, ka thënë përpara votimit në dhomën e ulët të Parlamentit, ose Bundestag, se rregullat e reja do ta kishin kursyer atë që të merrej me gjykatat mbi një vit, të kërkonte vlerësime ekspertësh dhe të shpenzonte gati 2000 euro.
"Shumë vende të tjera kanë shkuar në këtë mënyrë dhe Gjermania thjesht po ndjek shembullin në thjeshtimin e ndjeshëm të këtij regjistrimi”, ka thënë Slawik.
Parlamenti i Spanjës në fillim të vitit 2023 miratoi një ligj që lejonte njerëzit mbi 16 vjeç të ndryshojnë gjininë e tyre, të regjistruar ligjërisht pa ndonjë mbikëqyrje mjekësore.
Në Mbretërinë e Bashkuar, parlamenti skocez në vitin 2022 miratoi një projekt-ligj që do t'u lejonte njerëzve të moshës 16 vjeç e lart të ndryshojnë përcaktimin gjinor në dokumentet e identitetit me vetëdeklarim.
Në reforma të tjera social liberale, qeveria e Scholzit ka legalizuar posedimin e sasive të kufizuara të kanabisit, lehtësoi rregullat për marrjen e nënshtetësisë gjermane dhe i dha fund kufizimeve për mbajtjen e shtetësisë së dyfishtë. Qeveria e tij po ashtu i dha fund ndalimit të mjekëve që “reklamonin” shërbimet e abortit.
Martesa e të njëjtit seks ishte legalizuar tashmë në vitin 2017.