Botë

Parlamenti danez hedh poshtë propozimin për ta njohur shtetin palestinez

Lars Lokke Rasmussen

Lars Lokke Rasmussen

Foto: Associated Press

Parlamenti i Danimarkës i ka thënë jo një propozimi për ta njohur shtetin palestinez të martën, duke mbështetur pikëpamjen e Qeverisë se kushtet e nevojshme nuk ishin vendosur, pavarësisht një vendimi nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia për të pranuar pavarësinë e saj.

Izraeli, i cili po izolohet çdo herë e më shumë, pas më shumë se shtatë muajsh të konfliktit me militantët e Hamasit, të cilët e udhëheqin Gazën, ka reaguar ndaj vendimit të shteteve evropiane për ta njohur Palestinën, raporton Reuters.

Projektligji danez është propozuar nga katër parti të krahut të majtë.

Sascha Faxe, anëtare e Parlamentit nga “Alternativa”, ka thënë se njohja e shtetit të Palestinës është rruga e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

“Shumica dërrmuese e politikanëve danezë pajtohen se nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme pa një zgjidhje me dy shtete”, ka thënë ajo në parlament, duke shtuar se ajo e sheh njohjen si një mënyrë për t'u dhënë të drejta palestinezëve të zakonshëm.

Mirëpo, ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen kishte thënë më parë se qeveria daneze nuk mund ta pranonte shtetin palestinez sepse nuk kishte asnjë autoritet të vetëm funksional ose kontroll mbi territorin e tij.

Rasmussen nuk ka marrë pjesë në debatin e të martës por ka thënë se shpreson që Danimarka do të jetë një ditë në gjendje që ta mbështesë shtetin palestinez.