Botë

Paraushtarakët shpallin qeverinë rivale në Sudan

Sudan

Foto: Associated Press

Paraushtarakët e Sudanit kanë deklaruar formimin e një qeverie rivale për forcat e armatosura të vendit, dy vjet pas një lufte që është bërë kriza më e madhe humanitare në botë.

Udhëheqësi i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Mohamed Hamdan "Hemedti" Dagalo, ka thënë se grupi “po ndërton të ardhmen e vetme realiste për Sudanin”, raporton BBC.

Njoftimi ka ardhur pas një konference të nivelit të lartë të mbajtur në Londër për të shënuar përvjetorin e dytë të konfliktit, ku sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka bërë thirrje për "një rrugë drejt paqes".

Ndërkohë luftimet kanë vazhduar, teksa ushtria ka thënë se ka bombarduar pozicionet e RSF-së jashtë qytetit el-Fasher, duke detyruar qindra mijëra të largoheshin nga kampi i refugjatëve Zamzam.

Hemedti ka thënë se RSF-ja po ndërton "shtet të së drejtës" dhe jo një shtet të qeverisur nga individë.

"Ne nuk kërkojmë dominim, por unitet. Ne besojmë se asnjë fis, rajon apo fe nuk ka monopol mbi identitetin sudanez”, thuhej në deklaratën e tij në Telegram.

Ai ka shtuar se qeveria e tij do të ofrojë shërbime thelbësore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor jo vetëm për zonat e kontrolluara nga RSF-ja, por për të gjithë vendin.

Më shumë se 400 njerëz janë vrarë në sulmet e fundit nga RSF-ja, sipas OKB-së, duke cituar "burime të besueshme".

Dy vjet pas luftës, ushtria dhe RSF-ja janë akuzuar për krime lufte, duke përfshirë gjenocidin dhe dhunën seksuale masive