Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të premten ka bërë paraqitje të papritur në konferencën e përditshme në Shtëpinë e Bardhë, duke u shprehur optimist se zgjedhjet në Amerikë do të jenë të lira dhe të drejta, por nuk është i sigurt nëse do të jenë paqësore.
“Gjërat që ka thënë Trumpi dhe gjërat që tha herën e fundit kur nuk i pëlqeu rezultati i zgjedhjeve ishin shumë të rrezikshme”, ka thënë ai, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2020 kur Biden mundi Donald Trumpin e më pas ndodhën trazirat e Capitolit.
“Jam i shqetësuar për atë që do të bëjnë”, ka shtuar presidenti.
Bideni nuk është paraqitur kurrë në dhomën e konferencës në Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës si president, në kontrast me paraardhësin Trump, i cili fliste shpesh me shtypin nga aty.
Presidenti amerikan komentoi edhe një herë sulmin e mundshëm nga Izraeli ndaj Iranit dhe përsëriti se Tel Avivi nuk ka marrë ende vendim për objektivat e mundshëm të sulmit.
“Nëse unë do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera përveç sulmit ndaj fushave të naftës”, ka thënë Biden.
I pyetur nëse mendonte se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po refuzonte marrëveshjet diplomatike në Gaza dhe Liban, Biden u shpreh: “Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë. Asnjë. Mendoj se Bibi (Benjamin Netanyahu) duhet ta mbajë mend këtë”.
Ai gjithashtu theksoi se pret të bisedojë me Netanyahun për një përgjigje të mundshme izraelite ndaj sulmit nga Irani.
“Ata nuk do të marrin vendim menjëherë. Do të presim të shohim se kur duan të bisedojnë. Izraelitët kanë të drejtë të përgjigjen ndaj sulmeve të ashpra ndaj tyre. Fakti është se ata duhet të jenë shumë më të kujdesshëm”, ka deklaruar Biden.