Agjencia shtetërore e motit në Spanjë AEMET, ka thënë se pret që shirat intensive në Valencia të zvogëlohen, por vuri në dukje se disa pjesë të rajonit mbeten në alarm.
Stuhia sipas agjencisë, është drejtuar në veri, duke shkaktuar paralajmërime për rajonin verilindor të Katalonjës. Reshje të dendura shiu priten edhe në pjesë të Spanjës jugore, raporton The Guardian.
“Kujdes në verilindje të gadishullit dhe Andaluzisë perëndimore: mund të ketë shi shumë të dendur”, ka shkruar agjencia në mediat sociale.
Numri i të vdekurve ka shkuar në 72 në rajonin e Valencias të mërkurën si pasojë e përmbytjeve për shkak të reshjeve të dendura.
Qeveria spanjolle ka shpallur tri ditë zie, duke filluar nga e enjtja, u ka thënë gazetarëve Angel Victor Torres, ministri përgjegjës për Politikën territoriale.