Botë

Papunësia në Eurozonë bie në nivel rekord

Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

Papunësia në Eurozonë ka rënë në një nivel të ri rekord të ulët, një javë përpara se evropianët t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

Statistikat e publikuara nga Eurostat thonë se norma e papunësisë e rregulluar sezonalisht në të gjithë zonën e euros ra në 6.4% në prill, nga 6.5% në mars. Ky është niveli më i ulët që nga krijimi i monedhës së përbashkët, tregojnë të dhënat e Eurostatit, raporton The Guardian. 

Në BE dhe më gjerë, shkalla e papunësisë mbeti në 6%.

Kjo sugjeron se normat më të larta të interesit të vendosura nga Banka Qendrore Evropiane për të luftuar inflacionin nuk po dëmtojnë tregun e punës.

Eurostati vlerëson se 13.149 milionë persona në BE, nga të cilët 10.998 milionë në zonën e euros, ishin të papunë në prill, duke shtuar se krahasuar me mars 2024, papunësia u ul me 103 mijë në BE dhe me 100 mijë në eurozonë. Ndërkaq, krahasuar me prillin 2023, papunësia u rrit me 95 mijë në BE dhe u ul me 101 mijë në zonën e euros.

Në të gjithë BE-në, papunësia ishte më e larta në Spanjë (me 11.7%) dhe Greqi (10.8%) në prill, dhe më e ulëta në Çeki (2.7%) dhe Poloni (3%).