Botë

Papa Françesku mbetet në gjendje kritike në spital, njofton Vatikani

Papa Francesku

Foto: Associated Press

Papa Françesku po pushon, por mbetet në gjendje “kritike” me probleme të frymëmarrjes dhe veshkave, më shumë se një javë pasi u shtrua në spital, ka bërë të ditur Vatikani.

“Nata shkoi mirë, Papa fjeti dhe po pushon”, thuhet në një deklaratë të mëngjesit të së hënës, raporton BBC.

Burimet e Vatikanit kanë thënë se Papa ishte me humor të mirë dhe hante normalisht – një mesazh pak më optimist se sa kishin dhënë gjatë fundjavës, pas vështirësive të tij të papritura në frymëmarrje të shtunën.

Papa është shtruar në spitalin Gemelli të Romës më 14 shkurt, pasi pati vështirësi në frymëmarrje për disa ditë, ku u trajtua fillimisht për bronkit përpara se të diagnostikohej me pneumoni në të dy mushkëritë.

Të dielën, trombocitopenia e Papës, një gjendje që ndodh kur numri i trombociteve në gjak është shumë i ulët, ishte i qëndrueshëm, thuhet në një deklaratë.

Të shtunën, Vatikani ka bërë të ditur se Papa kishte përjetuar një krizë të frymëmarrjes dhe ishte në një gjendje "kritike", por më vonë të dielën ka lëshuar një njoftim se ai "nuk kishte paraqitur ndonjë krizë të mëtejshme të frymëmarrjes".