Papa Françesku ka bërë paraqitjen e tij të parë publike që nga lirimi nga spitali dy javë më parë, ku ishte trajtuar për pneumoni të dyfishtë, duke hyrë të dielën në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan me një karrocë, për të përshëndetur turmat.
Françesku, 88 vjeç, nuk është parë në publik që nga 23 marsi, kur kishte bërë një përshëndetje të shkurtër përpara se të largohej nga spitali Gemelli i Romës, pas më shumë se pesë javësh trajtim, raporton Reuters.
“Gëzuar të dielën për të gjithë”, ka thënë Papa, duke folur me një zë të brishtë, ndërsa merrte oksigjen përmes një aparati të vogël nën hundë.
"Faleminderit shumë", ka shtuar ai.
Françesku zakonisht bën lutje javore të mesditës në sheshin e Shën Pjetrit të dielave. Por ai nuk ka mundur ta bëjë këtë që nga 9 shkurti, para se të shkojë në spital.
Ai është shtruar në spital më 14 shkurt për shkak të bronhitisit që më vonë është zhvilluar në pneumoni të dyfishtë, një gjendje veçanërisht e rëndë për të pasi kishte pleurit si i ri, dhe i ishte hequr një pjesë e njërës mushkëri.
Françesku i ishte afruar vdekjes në një moment gjatë qëndrimit të tij 38-ditor në spital, saqë mjekët e tij kishin menduar t'i jepnin fund trajtimit në mënyrë që ai të mund të vdiste në paqe, ka bërë të ditur kreu i ekipit të tij mjekësor muajin e kaluar.