Papa Françesku e ka nisur Vitin e Shenjtë 2025 të martën me hapjen e Derës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, festë e cila pritet të tërheqë rreth 32 milionë pelegrinë në Romë.
Në predikimin e tij, Papa Françesku ka thënë se Viti i Shenjtë është mundësi për të lehtësuar borxhin e vendeve të varfra, si dhe për t’u angazhuar në mbrojtjen e planetit, raportoi “AP News”.
Françesku ia ka kushtuar jubileun 2025 “shpresës” për çka pritet të hapë Derën e Shenjtë të enjten në burgun Rebibbia të Romës, si përpjekje për t’u dhënë të burgosurve shpresë për një të ardhme më të mirë.
Papa e ka përfshirë prej kohësh shërbimin e burgut në punën e tij si prift dhe ka bërë disa vizita në Rebibbia dhe burgje të tjera gjatë udhëtimeve të tij.
Rreth 7,000 njerëz kanë ndjekur nga afër hapjen e Derës së Shenjtë nga brenda Bazilikës, ndërsa mijëra të tjerë e ndoqën në ekranet e mëdha në Sheshin e Shën Pjetrit dhe nëpërmjet transmetimeve në mbarë botën.
Pas sulmit të ndodhur këtë javë në tregun gjerman të Krishtlindjeve në Magdeburg, ku të paktën pesë persona mbetën të vdekur, siguria në Romë është rritur me rreth 700 oficerë shtesë dhe masa të avancuara të mbikëqyrjes.