Papa Françesku ka bërë thirrje për një hetim për të përcaktuar nëse sulmet e Izraelit në Gaza përbëjnë "gjenocid", sipas fragmenteve të publikuara të dielën nga një libër i ardhshëm përpara vitit jubilar të Papës.
Është hera e parë që Françesku ka kërkuar hapur një hetim të akuzave për gjenocid mbi veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, raporton AP.
Në shtator, ai ka thënë se sulmet e Izraelit në Gaza dhe Liban kanë qenë "imorale" dhe joproporcionale dhe se ushtria e tij ka shkuar përtej rregullave të luftës.
Libri, nga Hernán Reyes Alcaide dhe i bazuar në intervistat me Papën, titullohet “Shpresa nuk zhgënjen kurrë. Pelegrinët drejt një bote më të mirë.” Do të publikohet të martën përpara jubileut të Papës 2025.
Jubileu njëvjeçar i Françeskut pritet të sjellë më shumë se 30 milionë pelegrinë në Romë për të festuar Vitin e Shenjtë.
"Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e një gjenocidi”, ka thënë Papa në fragmentet e botuara të dielën nga e përditshmja italiane “La Stampa”.