Papa Françesku i ka kërkuar botës "të heshtë tingujt e armëve dhe të kapërcejë ndarjet" në mesazhin e tij tradicional të Krishtlindjes.
Ai ka përdorur fjalimin e tij për të bërë thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan dhe për të shprehur shqetësimin për situatën "jashtëzakonisht të rëndë" humanitare në Gaza, raporton The Guardian.
Françesku ka bërë thirrje për dialog për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Mesazhi i tij erdhi disa orë pasi Rusia nisi një sulm të madh ajror, duke përdorur raketa lundrimi për të sulmuar infrastrukturën energjetike në të gjithë Ukrainën.
Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa u bëri thirrje udhëheqësve që të "hapin derën" për negociatat.
Zyrtarët ukrainas kritikuan Françeskun në mars pasi ai tha se vendi duhet të ketë "guximin për të ngritur flamurin e bardhë" dhe për të negociuar një fund të luftës me Rusinë. Drejtori i Komunikimeve të Vatikanit më vonë sqaroi se Françesku po bënte thirrje për një "zgjidhje diplomatike në kërkim të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".
Françesku përdori gjithashtu mesazhin e tij të Ditës së Krishtlindjes për të adresuar konfliktin në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje që "të hapen dyert e dialogut dhe paqes".
"Unë mendoj për komunitetet e krishtera në Izrael dhe Palestinë, veçanërisht në Gaza, ku situata humanitare është jashtëzakonisht e rëndë. Le të ketë një armëpushim, të lirohen pengjet dhe të jepet ndihma për njerëzit e rraskapitur nga uria dhe nga lufta”, është shprehur ai.