Botë

Rreth 250 mijë njerëz pritet të marrin pjesë në funeralin e Papa Françeskut

Papa Françesku

Foto: Associated Press

Përditësuar (13:42) -  Rreth 20,000 pelegrinë janë mbledhur të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit për të parë trupin e pajetë të Papa Françeskut, sipas raportimeve të mediave të Vatikanit.

Transferimi i arkivolit të Papës në Bazilikën e Shën Pjetrit ka filluar të mërkurën në orën 09:00 me orën lokale, pas një ceremonie lutjeje në faltoren e Casa Santa Marta, ku jetonte Papa.

Ndërkohë, të paktën 250,000 njerëz pritet të marrin pjesë në funeralin e Papa Françeskut të shtunën.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë arritur tashmë në qytetin e Vatikanit gjatë dy ditëve të fundit për t'i bërë nderimet e tyre Papës së ndjerë.

Të paktën 100 delegatë nga e gjithë bota do të marrin pjesë gjithashtu në ceremoni, dhe siguria pritet të jetë e rreptë.


Arkivoli i Papa Françeskut arrin në bazilikën e Shën Pjetrit për nderime

Përditësuar (10:08) -  Arkivoli me trupin e pajetë të Papa Françeskut është zhvendosur të mërkurën në mëngjes nga rezidenca e tij në Vatikan për në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Pasi arkivoli i hapur të jetë brenda bazilikës së Shën Pjetrit, publiku do të lejohet të kalojë nga ora 10:00  për ta nderuar Papën, raporton BBC.

Papa ka vdekur të hënën në mëngjes. Varrimi i tij do të bëhet të shtunën, ku marrin pjesë liderë nga e gjithë bota. 


Trupi i Papa Françeskut do të zhvendoset në bazilikën e Shën Pjetrit për nderime publike

Dhjetëra mijëra njerëz kanë arritur në Vatikan gjatë dy ditëve të fundit për të nderuar Papa Françeskun, i cili vdiq të hënën e Pashkëve në moshën 88-vjeçare.

Arkivoli që mban trupin e Papa Françeskut do të merret sot nga Casa Santa Marta ku ai vdiq, për në Bazilikën e Shën Pjetrit. 

Ai do të qëndrojë atje deri në varrimin e tij të shtunën, duke u dhënë njerëzve një shans për t'i dhënë lamtumirën e fundit.

Papa Françesku do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë Major, duke e bërë atë Papën e parë që nga Leo XIII, i cili vdiq në vitin 1903, që do të varroset jashtë Vatikanit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky janë ndër liderët botërorë që do të marrin pjesë në funeralin. 

Pallati Kensington ka njoftuar gjithashtu se Princi William do të udhëtojë në Vatikan në emër të babait të tij, mbretit Charles.