Panamaja ka mohuar të ketë bërë ndryshime për të lejuar anijet e qeverisë amerikane që të kalojnë falas nëpër Kanalin e Panamasë, pas pretendimeve të Shtëpisë së Bardhë se kishte rënë dakord për një veprim të tillë.
Përmes një deklarate në rrjetin social “X”, Departamenti i Shtetit ka njoftuar se anijet e tij qeveritare “tani mund të kalojnë transit në Kanalin e Panamasë pa tarifa, duke i kursyer qeverisë amerikane miliona dollarë në vit”.
Pas kësaj deklarate, Autoriteti i Kanalit të Panamasë (ACP) njoftoi se është “i autorizuar që të vendosë tarifa dhe taksa të tjera për kalimin transit në kanal”, duke shtuar se “nuk kishte bërë asnjë ndryshim për to”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme dëshirën e tij për të rimarrë kontrollin e rrugës ujore, e cila është kyç për tregtinë globale.
Kanali i Panamasë përshkon kombin e Amerikës Qendrore dhe është lidhja kryesore midis Oqeanit Atlantik dhe Paqësor.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka qenë për një vizitë në vendet e Amerikës Latine këtë javë, ka kërkuar që Panamaja të bëjë “ndryshime të menjëhershme” në atë që ai e quan “ndikimi dhe kontrolli” i Kinës mbi kanalin.
Kryediplomati amerikan ka njoftuar se Panamaja duhet të ndërmarrë veprime ose në të kundërt SHBA-ja do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e saj sipas një traktati midis dy vendeve.
Gjatë asaj vizite, Rubio u takua me presidentin e Panamasë, José Raúl Mulino, si dhe administratorin e kanalit, Ricaurte Vásquez Morales, raporton BBC.
Pas vizitës së tij, ACP-ja bëri të ditur se kishte përcjellë synimin e saj për të punuar me marinën amerikane në mënyrë që të rrisë përparësinë e transitit të anijeve të saj përmes kanalit.
Anijet amerikane përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të trafikut në kanal. Sipas autoriteteve të kanalit, në vitin 2024, 52% e transiteve përmes rrugës ujore kishin portet e origjinës ose destinacionit në Shtetet e Bashkuara.
Deri në 14 mijë anije përdorin kanalin çdo vit për të shmangur udhëtimet e gjata dhe të kushtueshme rreth Amerikës së Jugut.
Gjatë fjalimit të tij inaugurues, presidenti Trump ka theksuar se kishte në plan të “rimarrë” kanalin, duke pretenduar se Kina po e operonte atë dhe Panamaja kishte “thyer” premtimin për të qëndruar neutrale.
Ky pretendim është hedhur poshtë nga presidenti Mulino, i cili ka deklaruar se rruga kryesore tregtare “është dhe do të mbetet” në duart e vendit të tij.
Ai gjithashtu ka hedhur poshtë akuzat e Trumpit për ndikimin e Kinës, duke thënë se “nuk ka asnjë komb në botë që ndërhyn në administratën tonë”.
SHBA-ja e ndërtoi kanalin në fillim të shekullit të 20-të, por, pas vitesh protestash, ish-presidenti Jimmy Carter nënshkroi një traktat me Panamanë në vitin 1977 për të rikthyer gradualisht kontrollin e rrugës ujore, të cilën Trumpi e ka quajtur “një gabim të madh”.