Botë

Palestinezët kthehen në shtëpitë e tyre në Gaza, pritet faza e dytë e negociatave të armëpushimit

Gaza

Foto: Associated Press

Palestinezët e zhvendosur që u kthyen në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës këtë javë gjetën një qytet të rrënuar pas 15 muaj luftimesh, teksa shumë prej tyre kërkonin strehim mes rrënojave dhe po ashtu të afërmit e humbur.

Qyteti i Gazës, në veri të enklavës, ishte një qendër e zhurmshme urbane para luftës, me një pjesë të ndërtesave të shkatërruara nga bombardimet izraelite dhe grumbuj rrënojash dhe betoni të përhapura gjithandej.

"Shikoni këtë skenë, nuk ka asgjë për të thënë”, ka thënë një burrë i quajtur Ebu Mohammad ndërsa ai kërkonte një vend për t'u vendosur.

"Njerëzit do të flenë në tokë. Nuk ka mbetur asgjë”, ka shtuar ai.

Shumë nga ata që ktheheshin, shpesh të ngarkuar me ato pak pasuri personale që u kanë mbetur edhe pas muajsh të tërë që ishin të zhvendosur, kanë ecur 20 km ose më shumë përgjatë autostradës bregdetare në veri.

"Unë jam duke pritur për babanë, nënën dhe vëllain tim. Ne i humbëm ata gjatë rrugës”, ka thënë Jameel Abed, i cili kishte ardhur nga zona qendrore e Rripit të Gazës.

“Kemi gjetur disa drita këtu dhe po i presim ata. Nuk ka asnjë veturë, asnjë karrocë gomari, asnjë mjet, asgjë që mund të lëvizë në këtë rrugë”, ka shtuar ai.

Të hënën vonë, autoritetet e Hamasit në Gazë kanë thënë se më shumë se 300,000 njerëz, ose pothuajse gjysma e atyre të zhvendosur nga veriu gjatë luftës, kishin kaluar në qytetin e Gazës dhe skajin verior të enklavës, nga zonat në jug.

Edhe pse ata që mbërritën në Gazë kërkonin vend diku për t'u vendosur, dhjetëra mijëra ishin ende duke lëvizur në veri, teksa ndërmjetësit filluan punën paraprake për fazën e dytë të negociatave të armëpushimit që do të fillojnë javën e ardhshme.

Tri pengje të tjera izraelite do të dorëzohen të enjten nga Hamasi, ndërsa tri të tjera pritet të lirohen të shtunën, në këmbim të shumë të burgosurve palestinezë që pritet të lirohen nga burgjet izraelite..

“Në Kajro, një ekip i nivelit të lartë të Hamasit i udhëhequr nga Mohammad Darwish, kreu i këshillit drejtues të grupit, zhvilloi bisedime me ndërmjetësuesit egjiptianë dhe mirëpriti 70 të burgosur palestinezë që mbërritën në Kajro përpara se të transferoheshin në vendet e treta, të cilat do të ishin të gatshme t'i prisnin ata”, thuhet në një deklaratë të Hamasit.

Këto përfshijnë Katarin, Turqinë dhe Algjerinë, sipas Hamasit dhe burimeve të tjera.

Më vonë të martën, Hamasi ka thënë se delegacioni ka diskutuar gjithashtu me zyrtarët e Kajros shkeljet e pretenduara të armëpushimit nga pala izraelite dhe idetë për të arritur unitetin kombëtar me Autoritetin rival Palestinez të presidentit Mahmud Abbas, duke përfshirë një propozim egjiptian për të formuar një komitet për të drejtuar Gazën e pasluftës.

Hamasi, i cili drejton Gazën që nga viti 2007, dhe autoriteti i Abasit, i cili ka një ndikim në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, deri më tani nuk kanë arritur t'i japin fund ndarjeve politike që dobësuan aspiratat palestineze për shtet.

Negociatat

Sipas kushteve të armëpushimit, të rënë dakord këtë muaj, me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit dhe mbështetjen e SHBA-së, 33 pengje do të lirohen gjatë një armëpushimi gjashtëjavor, në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë, shumë prej të cilëve vuajnë dënimin e përjetshëm në burgjet izraelite. Deri më tani janë shkëmbyer shtatë pengje dhe 290 të burgosur.

Një fazë e dytë e negociatave, e cila do të vendosë se çfarë do të ndodhë me më shumë se 60 pengje të tjerë, duke përfshirë burra të moshës ushtarake, si dhe një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza, do të fillojë të martën e ardhshme.

Nëse kjo fazë ka sukses, mund të pasojë një fund i plotë i luftës. Kjo gjithashtu do të hapte rrugën për bisedimet për rindërtimin e Gazës, e cila është shkatërruar kryesisht nga sulmet izraelite që lanë të vdekur pothuajse 47,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Konflikti u shkaktua nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit gjatë të cilit u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng më shumë se 250 të tjerë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është përballur me presionin e vijës së ashpër në qeverinë e tij, (të pakënaqur që marrëveshja e lë Hamasin ende në pushtet në Gaza), për të mos vazhduar në fazën e dytë, por për të rifilluar luftën dhe për të siguruar atë, që ata e shohin si fitore totale.

Por Sami Abu Zuhri, një zyrtar i lartë i Hamasit, ka thënë se grupi beson se bisedimet do të vazhdojnë.

“Ne jemi gati të fillojmë negociatat për fazën e dytë në kohën e caktuar dhe jemi të bindur se Netanyahu nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë me fazën e dytë”, është shprehur ai.

Çfarë do të pasojë zbatimin e plotë të armëpushimit mbetet e paqartë, pas deklaratave të përsëritura të Izraelit se Hamasi nuk do të lejohet të qëndrojë në pushtet në Gaza.

Thirrja e presidentit të SHBA-së Donald Trump që palestinezët në Gaza të dërgohen në Egjipt ose Jordani, megjithëse u refuzua fuqishëm në rajon dhe nga zyrtarët dhe banorët palestinezë, e ka komplikuar më tej perspektivën.