Botë

Pakistani dëbon dhjetëra mijëra afganë nga territori i tij

Pakistani

Foto: Associated Press

Pakistani ka dëbuar më shumë se 19,500 afganë këtë muaj, në mesin e mbi 80,000 të tjerëve që janë larguar para afatit të 30 prillit, ka bërë të ditur Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Pakistani ka përshpejtuar përpjekjet për të dëbuar afganët pa dokumente si dhe ata me leje të përkohshme të qëndrimit, transmeton BBC.

Rreth 700 deri në 800 familje po dëbohen në baza ditore, kanë thënë zyrtarët talebanë, teksa bilanci i të dëbuarve pritet të shkojë deri në 2 milionë përgjatë muajve të ardhshëm.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, ka udhëtuar të shtunën në drejtim të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, për të zhvilluar bisedime me zyrtarët talebanë. Ndërkaq, homologu i tij, Amir Khan Muttaqi, ka shprehur “shqetësim të thellë” sa i përket dëbimeve.

Mbi 3.5 milionë afganë kanë qenë duke jetuar në Pakistan, sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e OKB-së për refugjatët, përfshirë 700,000 persona të cilët u zhvendosën pas rikthimit të talebanëve në vitin 2021. OKB-ja ka evidentuar se gjysma e tyre janë pa dokumente.