Botë

Pakistanezi me lidhje me Iranin akuzohet se komplotoi vrasje politike në SHBA, përfshirë Trumpin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Një pakistanez i dyshuar për lidhje me Iranin është akuzuar për komplot të vrasjeve politike në tokën amerikane, ka thënë Departamenti i Drejtësisë.

Prokurorët në Brooklyn e kanë akuzuar Asif Merchantin se kishte udhëtuar në New York për të punësuar një vrasës me pagesë. Komploti ishte penguar para se të kryhej.

Hetuesit e FBI-së besojnë se ish-presidenti Donald Trump dhe ish-zyrtarë qeveritarë e aktualë kanë qenë shënjestra.

Rasti është zbuluar vetëm javë pasi zyrtarët amerikanë thanë se një kërcënim për jetën e ish-presidentit Trump nga Irani kishte nxitur rritjen e sigurisë përreth tij para atentatit ndaj tij në Pennsylvania.

Në atentat Trumpi pati mbetur i plagosur në vesh. Atentati ndaj tij që u bë nga një 20-vjeçar nuk lidhej me kërcënimin iranian, raportoi AP.

Zyrtarët e SHBA-së për vite kanë paralajmëruar mbi dëshirën e Iranit për hakmarrje që pas vrasjes së Qassem Soleimanit më 2020, i cili udhëhoqi Forcën Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Ai sulm ishte urdhëruar nga Trumpi.