Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, “Alternativa për Gjermaninë” e së djathtës ekstreme nuk do të jetë forcë në Bundestag, por partia është siguruar se do të ketë një rol në formimin e të ardhmes së shtetit
Premtuan se gjah i tyre do të ishin elitat. Vunë në dyshim nevojën për memorialin e Holokaustit në Berlin dhe refugjatët i quajtën “vajza të mbuluara” dhe “burra me thika”.
Katër vjet më parë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) arriti në Parlamentin gjerman si top shkatërrues. Ishte partia e parë e krahut të djathtë ekstrem që siguronte një vend në zemrën e demokracisë gjermane që prej Luftës së Dytë Botërore. Ishte tërmet politik në një shtet që dikur kishte përjetuar ngritjen e partisë naziste të Hitlerit, kur mori pushtetin në zgjedhjet e lira.
Teksa po afrohen zgjedhjet e së dielës, e përditshmja amerikane “New York Times” shkruan se frika e shumë gjermanëve nuk është bërë realitet: përkrahja për partinë ka rënë. Mirëpo jo edhe shpresa se AfD-ja duhet të zhduket nga skena politike sikur po ndodh krejt papritur.
Nëse fati i Gjermanisë në këto zgjedhje nuk do të vendosej nga krahu i djathtë ekstrem, analistët politikë thonë për gazetën se e ardhmja e Gjermanisë do të gdhendet nga kjo parti.
“AfD-ja është këtu për të qëndruar”, thotë Matthias Quent, profesor i sociologjisë në Universitetin e Magdeburgut për Shkencat e Aplikuara dhe ekspert i së djathtës ekstreme. “Ishte një shpresë e zgjeruar dhe naive se do të ishte fenomen jetëshkurtër. Realiteti është se e djathta ekstreme do të zgjerohet në peizazhin politik të Gjermanisë”, shton ai për “NYT”.

Ngritjet dhe uljet
AfD-ja në sondazhet e fundit ka dalë se gëzon 11 për qind të përkrahjes, shifër kjo më e ulët sesa rezultati prej 12.6 për qind në vitin 2017, mirëpo megjithëkëtë e ka të garantuar prezencën në Parlament. (Partitë me më pak se 5 për qind të votave nuk mund të sigurojnë ulëse). Mirëpo të gjitha partitë kanë refuzuar të përfshijnë AfD-në në bisedimet për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Kështu, i pamundësohet pushteti.
“AfD-ja është e izoluar”, thotë Uwe Jun, profesor i shkencave politike në Universitetin e Trierit.
Kur dy partitë kryesore të Gjermanisë kanë rënë nën 30 për qind në sondazhe, AfD-ja mbetet një forcë penguese, e atillë që komplikon punën për krijimin e koalicionit qeverisës me shumicën e votave dhe ulëseve në Parlament.
Tino Chrupalla, një prej dy kandidatëve të AfD-së në këto zgjedhje, beson se muri i partive ndaj partisë së tij do të shembet – duke filluar në një prej shteteve të ish-Lindjes Komuniste në të cilën ka bazën partia.
“[Muri] nuk është i qëndrueshëm”, thotë ai për gazetën amerikane. “Jam i bindur që herët a vonë nuk do të ketë rrugë tjetër pa AfD-në”, ka thënë Chrupalla në konferencën për media gjatë javës së kaluar. “Natyrisht se do të fillojë në nivelin e shteteve”.
E themeluar tetë vjet më parë si parti protestuese e tregut të lirë kundër pakos greke dhe euros, AfD-ja me shpejtësi kaloi në krahun e djathtë.
E kundërshtoi zëshëm vendimin e kancelares Angela Merkel që të mirëpriste mbi një milion refugjatë në Gjermani në vitet 2015 dhe 2016, ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për islamizimin dhe krimin nga refugjatët. Nacionalizmi i zëshëm dhe qëndrimi kundër refugjatëve u përmendën së pari në Parlament dhe menjëherë u kthyen në partinë kryesore opozitare të Gjermanisë.
Mirëpo partia ka dështuar që të zgjerohet në 18 muajt e fundit. Pandemia dhe ndryshimet klimatike kanë zënë vend në listën e shqetësimeve të votuesve, ndërkaq çështja e refugjatëve rrallë është përmendur në fushatën e sivjetme zgjedhore.
AfD-ja ka tentuar të rrokë temën e kaosit në Afganistan, duke rritur frikën për një krizë të re refugjatësh.
“Këlni, Kasseli ose Knstanzi nuk mund të përballojnë më shumë nga Kabuli”, thuhej në njërin prej postimeve të partisë. “Shpëtoni botën? Natyrisht. Por së pari Gjermaninë!”, thuhej në tjetrin postim.
Në tubimin e fundit zgjedhor në veri të Frankfurtit, Chrupalla ka kërkuar nga ligjvënësit që të shfuqizojnë të drejtat kushtetuese për azil. Ai gjithashtu ka thënë për transmetuesin publik “Deutsche Welle” se Gjermania duhet të jetë e përgatitur për mbrojtje të kufijve, “nëse është nevoja edhe me forcë të armatosur”.
Sulmet terroriste
Asgjë prej kësaj retorike nuk ka ndërruar anë, ngase votuesit kanë shqetësime fondamentale për aurën e ekstremizmit të partisë. Disa prej liderëve të AfD-së kanë marshuar përkrah ekstremistëve në rrugë, ndërkaq në mesin e përkrahësve të partisë janë adhurues të teorive konspirative dhe simpatizues neonazistë. “New York Times” analizon se AfD-ja nuk është lidhur direkt me dhunën politike, por agresiviteti verbal ka ndihmuar në normalizimin e gjuhës së dhunshme dhe ka qenë në koincidencë me serinë vdekjeprurëse të sulmeve terroriste nga ekstremistët e djathtë.
Në qershorin e 2019-s, një politikan rajonal që mbronte politikat e Merkelit për refugjatët u qëllua për vdekje në oborrin e shtëpisë. Atë e vrau një neonazist i njohur. Vrasësi më vonë ka thënë në gjykatë se mori pjesë në protestën e madhe të AfD-së që u mbajt në fillim të atij viti.
Që prej asaj kohe, një ekstremist i krahut të djathtë sulmoi një sinagogë në lindje të qytetit Halle gjatë Yom Kippur, duke lënë dy të vdekur, por dështoi të kryente masakër. Një tjetër ekstremist vrau nëntë të rinj refugjatë në perëndim të qytetit Hanau.
Ngritja e hershme e AfD-së nëpër sondazhe u ngri dhe ka rënë ndjeshëm pas sulmit në Hanau.
“Pas tri sulmeve, publiku i gjerë gjerman dhe mediat e kuptuan për herë të parë se retorika e AfD-së shpie në dhunë të vërtetë”, thotë Hajo Funke nga Universiteti Free në Berlin. Funke ka shkruar shpesh për partinë dhe rrugëtimin e evolucionit të saj.
“Është një pikë kthese”, thotë ai për “NYT”. “Ata kanë personifikuar nocionin që fjalët çojnë te veprat”.
Pak pas sulmit në Hanau, Thomas Haldenwang, shef i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjenci kjo e Inteligjencës së Gjermanisë, vendosi nën mbikëqyrje elemente të AfD-së lidhur me ekstremizmin e djathtë – ani pse deputetët e partisë nisën punën në Parlament.
“Nga historia gjermane e dimë se ekstremizmi i djathtë jo vetëm që shfaros jetë njerëzish, por edhe demokracinë”, kishte tërhequr vërejtjen Haldenwang në njoftimin e tij në marsin e vitit 2020. “Ekstremizmi dhe terrorizmi i krahut të djathtë janë rreziku më i madh i demokracisë në Gjermanisë”, kujton gazeta.
Në ditët e sotme, agjencia ka klasifikuar shumicën e anëtarëve të AfD-së si ekstremistë, përfshirë Chrupallan dhe Alice Widelin, kandidaten tjetër të partisë. Një gjykatë është duke analizuar nëse krejt partia mund të vendoset nën mbikëqyrje zyrtare.
“AfD-ja është jorelevante në termet e fuqisë politike. Por është e rrezikshme”, thotë Funke.
Chrupalla, dekorues me profesion, herë pas here del në skenë me pantallona të gjera, ndërkaq Weidel, meraklie e kostumeve dhe ish-analiste e “Goldman Sachs” e nënë e dy fëmijëve, ia kanë mësyrë ta kundërshtojnë këtë përshtypje. Sikur të tërhiqte vëmendjen, slogani kryesor i partisë për zgjedhjet e sivjetme është: Gjermania – por normale”.
Për Gjermaninë “normale”
Një vështrim i programit partiak prej 207 faqesh tregon se çfarë është normale: “AfD-ja kërkon largimin e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian. Bën thirrje për heqjen e çdo mase për luftimin e koronavirusit. Dëshiron të kthehet në përkufizimin tradicional të shtetësisë gjermane të bazuar në prejardhjen prej gjaku. Dhe është e vetmja parti në Parlament që mohon se ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga njeriu, teksa bën thirrje për investime në qymyr dhe në largim nga Marrëveshja klimatike e Parisit”.
Fakti që numrat në sondazhe për AfD-në nuk kanë ndryshuar në këta 18 muaj, do të thotë se përkrahësit nuk janë votues protestues, por gjermanë që pajtohen me idetë dhe ideologjinë e kësaj partie.
“AfD-ja ka nxjerrë në shesh një elektorat të vogël por shumë më radikal sesa që mendohej se ka në këtë shtet”, thotë sociologu Quent. “Para katër vjetësh njerëzit pyesnin: ‘Nga vjen kjo?’ Në realitet veçse ishte këtu. I duhej pak nxitje”.
Quent dhe ekspertët e tjerë vlerësojnë se përkrahja e partisë do të arrijë deri në 14 për qind. Mirëpo në pjesë të ish-Lindjes Komuniste, aty ku AfD-ja është bërë bazë e forcës së gjerë politike në nivelin lokal, është shndërruar në forcën e dytë më të fortë politike të rajonit. Në mesin e 60-vjeçarëve, Quent thotë se partia është numër një.
“Është çështje kohësh kur AfD-ja do të jetë partia më e fortë në Lindje”, shton Quent.
Kjo është arsyeja përse Chrupalla, zona elektorale e të cilit shtrihet në Saksoni, shteti ku në vitin 2017 doli e para, parashikon se shpejt do të bëhet e vështirë për ta mposhtur.
“Në Lindje ne jemi partia e popullit, jemi të vendosur mirë në nivel lokal, qyteti, rajoni dhe shteti”, thotë Chrupalla. “Në Lindje klasa e mesme voton për AfD-në. Në Perëndim, ata votojnë të gjelbrit”.
Përgatiti: Gent Mehmeti