Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot ka thënë se marrëveshja e armëpushimit në Liban nuk do të ishte e mundur pa marrëdhëniet speciale të Francës me ish-protektoratin e saj.
“Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të privilegjuar me Izraelin. Por me Libanin, është Franca ajo që ka lidhje shumë të vjetra, lidhje shumë të ngushta”, ka thënë ministri, Jean-Noël Barrot, duke folur disa orë pasi armëpushimi hyri në fuqi të mërkurën, raporton AP.
“Nuk do të ishte e mundur të parashikohej një armëpushim në Liban pa përfshirjen e Francës”, ka shtuar ai.
Franca do të përfshihet në monitorimin e armëpushimit, ka thënë Barrot, me 700 ushtarë francezë të dislokuar si pjesë e forcës paqeruajtëse prej 10,000 trupash të Kombeve të Bashkuara, të njohur si UNIFIL, që ka patrulluar zonën kufitare midis Libanit dhe Izraelit për gati 50 vjet.
Ministri ka thënë po ashtu se Franca do të punojë gjithashtu për të forcuar vendosjen e trupave libaneze në jug të vendit si pjesë e armëpushimit, megjithëse ai nuk ka specifikuar saktësisht se çfarë mund të përfshijë ndonjë mbështetje shtesë ushtarake franceze.
I pyetur nëse Franca do të arrestonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai do të shkelte në tokën franceze, ministri ka thënë se i takon autoritetit gjyqësor të vendosë.
Gjykata më e lartë botërore për krimet e luftës lëshoi urdhra arresti javën e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe shefin ushtarak të Hamasit, duke i akuzuar ata për krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën 13-mujore në Gaza.