Liderët e Bashkimit Evropian janë zotuar të enjten se do të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Rusisë për të ndaluar dërgimin e armëve për Kievin zyrtar.
Ata u mblodhën të enjten në Bruksel, ku edhe kanë miratuar tekstin përfundimtar me të gjitha konkluzionet e samitit. Teksti përfundimtar përcakton se blloku evropian është i përkushtuar, që në koordinim me partnerët dhe aleatët, të ofrojë mbështetjen e duhur për Ukrainën dhe popullin e saj.
Takimi në Bruksel zhvillohet dy ditë pas bisedës telefonike mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në kuadër të së cilës të dy liderët u pajtuan për armëpushim të kufizuar 30-ditor mbi infrastrukturën energjetike në Ukrainë.
Mirëpo, disa orë pas bisedës telefonike, u raportua se dronët rusë shënjestruan infrastrukturën energjetike në rajonin ukrainas të Dnjipropetrovskut.
Orbani voton kundër qëndrimit të bllokut evropian për të mbështetur Ukrainën
Të gjithë liderët evropianë, përveç kryeministrit hungarez, Viktor Orban, kanë votuar në favor të qëndrimit të bllokut evropian për “mbështetje të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial” të Ukrainës në samitin e mbajtur në Bruksel të enjten, raporton BBC.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar gjatë ditës, Bashkimi Evropian ka thënë se 26 nga 27 vendet anëtare janë pajtuar të vazhdojnë me qasjen e “paqes nëpërmjet forcës”, që garantojnë se Ukraina të ketë “kapacitete të fuqishme ushtarake dhe mbrojtëse”.
E në Samitin që u mbajt në Bruksel iu adresua edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili reagoi kundrejt qasjes destruktive të Orbanit, duke thënë se “është thjesht antievropiane kur një person bllokon vendime që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose të cilat janë pajtuar paraprakisht”.
Ndonëse nuk bëri referencë direkte ndaj Orbanit, Zelensky ka theksuar se është e gabuar që “përpjekjet evropiane që synojnë të sjellin më shumë siguri dhe paqe të pengohen në mënyrë të vazhdueshme”.
“Evropa duhet të ketë një mënyrë që të parandalojë aktorët individual prej bllokimit të asaj që është e domosdoshme për të gjithë ne”, ka shtuar ai.