Botë

Orbani sfidon Gjykatën Ndërkombëtare, e fton Netanyahun për vizitë pas urdhërarrestit

Netanyahu & Orban

Netanyahu & Orban

Kryeministri Viktor Orban të premten e ka ftuar homologun izraelit Benjamin Netanyahu për vizitë në Hungari, duke thënë se garanton që urdhërarresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) nuk do të respektohet.

GJNP-ja të enjten lëshoi urdhërarreste për Netanyahun, ish-ministrin e Mbrojtjes izraelit Yoav Gallant dhe komandantin e Hamasit, Mohammed Deif, për të cilin Izraeli ka thënë se e ka vrarë në korrik. Të tre dyshohen për krime kundër njerëzit gjatë luftës Izrael – Hamas.

Orbani, vendi i të cilit mban presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, i ka thënë radios shtetërore se urdhërarresti i GJNP-së është i gabuar.

“Sot do të ftoj kryeministrin e Izraelit, Netanyahu, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë do t'i garantoj atij se nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari dhe ne nuk do të ndjekim përmbajtjen e tij”, ka thënë Orban.

Që kur Orbani mori pushtetin në vitin 2010, ai dhe Netanyahu kanë krijuar marrëdhënie të ngushta politike. Netanyahu vizitoi Budapestin në vitin 2017.

Netanyahu më vonë e falënderoi Orbanin për ftesën, duke thënë se Hungaria po qëndron në krah të së drejtës dhe të vërtetës. 

Udhëheqësit izraelitë dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar ashpër vendimin e GJNP-së,, ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se urdhërarrestet nuk ishin politike dhe se të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës.

Brenda BE-së, Hungaria dhe Republika Çeke kanë qenë mbështetëse të fuqishme të Izraelit, ndërsa vende si Spanja dhe Irlanda theksojnë mbështetjen për palestinezët.