Botë

Orbani përbuz qëndrimin e BE-së për Ukrainën

Viktor Orban

Foto: Associated Press

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka përbuzur deklaratën e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas për Ukrainën, duke e cilësuar si të “trishtuar” dhe “të pavlerë”, raporton Politico.

“Kjo deklaratë është një testament i lidershipit të keq nga ana e Brukselit” ka shkruar të mërkurën Orban në një postim në rrjetin social “X”. Reagimi i Orban i drejtohet vendeve të Weimar+ si – Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania, Polonia, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe – që dolën me një deklaratë të përbashkët në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Orbani nuk ishte i pajtimit me deklaratën e përbashkët, duke shtuar se “përderisa presidenti Donald Trump dhe presidenti Putin po negociojnë për paqen, zyrtarët e BE-së po lëshojnë deklarata të pavlera”.

Kryeministri hungarez ishte takuar me presidentin rus Vladimir Putin në korrikun e vitit të kaluar, takim në të cilin u diskutuan propozime mbi marrëveshjen e paqes në Ukrainë. Kjo lëvizje ishte kritikuar nga Kievi zyrtar dhe liderët evropianë.