Botë

Orbani krijon aleancën “Patriotët për Evropën” me dy parti nga Austria e Çekia

Viktor Orban

Viktor Orban

Foto: Associated Press

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, njoftoi të dielën për një aleancë me “Partinë e Lirisë” së ekstremit të djathtë të Austrisë dhe partinë kryesore opozitare çeke, e cila sipas tij mund të bëhet grupi më i madh i krahut të djathtë në Parlamentin Evropian.

Orban udhëtoi në Vjenë për të prezantuar aleancën "Patriotët për Evropën" të partisë së tij Fidesz, me “Partinë e Lirisë” së Austrisë dhe partinë “ANO” të ish-kryeministrit çek Andrej Babis, një ditë para se Hungaria të marr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian për gjashtë muaj, raporton AP.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në fillim të qershorit forcuan partitë e së djathtës në përgjithësi, megjithëse performanca e tyre ndryshonte nga vendi në vend.

Deri më tani, ato janë shpërndarë në dy grupe në legjislaturën e BE-së, plus një numër të madh partish të paangazhuara.

Orban në vitet e fundit duket se i shijon mundësitë për të bllokuar, zbutur ose vonuar vendimet kryesore të BE-së, duke shkuar në mënyrë rutinore kundër mendjes së shumicës së liderëve të tjerë për çështje si lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën dhe përpjekjet për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit.

"Ajo që evropianët duan janë tri gjëra: paqja, rendi dhe zhvillimi. Dhe ajo që ata po marrin nga elita në Bruksel sot është lufta, migrimi dhe stanjacioni. Tani ne po krijojmë një grup politik i cili për mendimin tim do të jetë si një raketë përforcuese dhe së shpejti do të bëhet grupi më i madh politik në Evropë.

Dhe kjo do të ndodhë brenda pak ditësh. Dhe pastaj qielli do të jetë kufiri ynë”, ka thënë Orban në ngjarjen e së dielës.

Treshja do të duhet të tërheqë ligjvënës nga të paktën katër vende të tjera të BE-së për të formuar me sukses një grup në parlamentin e ri.

Kreu i “Partisë së Lirisë”, Herbert Kickl, ka thënë se Parlamenti i ri Evropian do të mblidhet për herë të parë në Strasburg më 16 korrik.

Ai tha se "duke filluar menjëherë... të gjitha forcat politike që duan të bashkohen në përpjekjen tonë të reformës politike dhe pozitive janë shumë të mirëpritura".

“Partia e Lirisë” fitoi ngushtë vendin e parë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe shpreson të fitojë zgjedhjet kombëtare të Austrisë, më 29 shtator.