Botë

Orban: Ukraina vetëm mund të humbasë me “planin e fitores” së Zelenskyt

Viktor Orban

Kryeministri hungarez Viktor Orban, të premten  ka thënë se Ukraina do ta humbiste luftën me strategjinë e saj aktuale, një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua me krerët e BE-së në Bruksel për të diskutuar “planin e tij të fitores” për t’i dhënë fund konfliktit shkatërrues me Rusinë.

“Ne nuk jemi të përfshirë në këtë, nuk është plani ynë i fitores”, tha Orban të premten në komentet për transmetuesin shtetëror të Hungarisë.

“Megjithatë, ne dëshirojmë që ukrainasit të kenë të drejtë, por ne besojmë se ata nuk mund të fitojnë me këtë plan fitoreje, ata vetëm mund të humbasin me të”, shtoi ai.

Zelenskyy ka zbuluar pjesërisht planin e tij prej pesë pikash që synon ta shtyjë Rusinë t’i japë fund luftës përmes negociatave, raporton AP.

Pikat kryesore të planit përfshijnë një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n dhe leje për të përdorur raketa me rreze më të gjatë të furnizuar nga Perëndimi për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë, hapa që janë pritur me ngurrim nga aleatët e Kievit deri më tani.

Zelenksyy u tha udhëheqësve të BE-së se mund t'i japin fund kësaj lufte jo më vonë se vitin e ardhshëm nëse plani i tij zbatohet.

Teksa kryeministri hungarez ka marrëdhëniet më të ngrohta se çdo lider tjetër i BE-së me presidentin rus Vladimir Putin, Bashkimi Evropian është mbështetës kryesor i Ukrainës.