Deklaratë nga Bosnja

Orban: S’ka siguri në Evropë pa Serbinë

Viktor Orban dhe Milorad Dodik

Viktor Orban dhe Milorad Dodik

Foto: Associated Press

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, u dekorua të premten me çmim shtetëror nga Milorad Dodiku, lider i Republikës Sërpska, që është i sanksionuar nga Perëndimi.

Dodiku ia dorëzoi Orbanit çmimin “Urdhri i Republikës Sërpska”, në një ceremoni të zhvilluar në Banjallukë, në kuadër të vizitës së tij në Bosnjë-Hercegovinë të vëzhguar nga afër prej zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Presidencën e radhës të së cilës shteti i Orbanit do ta udhëheqë nga korriku.
Tek foli para gazetarëve pasi e pranoi çmimin, Orban shprehu vërejtjen që Serbia, sipas tij, nuk po e merr trajtimin meritor nga Evropa.

“Mendoj se Serbia nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë nga Evropa. Serbia nuk e po e merr njohjen që e meriton. Disi, Evropa nuk po e kupton se serbët janë të rëndësishëm për Evropën. Në Evropë nuk ka siguri pa serbët. Pa serbët brenda saj nuk do të ketë Bashkim Evropian të shëndetshëm”, ka thënë Orban.

Ai ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor po vuan dyfish, si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Ballkani Perëndimor po vuan dyfish për shkak të luftës në Ukrainë. Merreni me mend, pas shumë diskutimesh ne në BE vendosëm që t’u japim 50 miliardë euro ukrainasve gjatë viteve të ardhshme. Dhe mendojeni tani, mbyllini sytë, e mendoni sikur prej tyre, 30 miliardë t’i merrte Bosnjë-Hercegovina si ndihmë, natyrisht, për t’u përgatitur për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, është shprehur Orban. 
E udhëheqësi prorus i Republika Sërpskas, Dodik, e mbrojti mbështetjen e tij për Rusinë, ndonëse është përfshirë në mesin e të sanksionuarve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe të Britanisë së Madhe.

Megjithëkëtë, ai e bëri zotimin se nuk do të ketë ndryshim të politikave për sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë shkaku i luftës në Ukrainë.

“Do të vazhdojmë me politikën e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe nuk do të japim dritën e gjelbër për sanksione Rusisë në nivel të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo natyrisht se kushton dhe këtë po e shohim nëpërmjet sanksioneve që po i zbatojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Dodiku. 

Çmimin e njëjtë Dodik ia pati dhënë vitin e shkuar edhe presidentit rus, Vladimir Putin. Ai është sanksionuar nga SHBA-ja e Britania e Madhe shkaku i përpjekjeve të tij për ta minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve ‘90 në Bosnjë-Hercegovinë.