Botë

Orban: Rusia është forcuar në luftë, por Trumpi do të sjellë paqe

Viktor Orban

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë se Evropa është “jashtëzakonisht e dobët ushtarakisht” ndërsa Rusia është bërë më e fortë gjatë luftës së saj me Ukrainën. 

Të premten, duke folur për transmetuesin shtetëror të Hungarisë, Orban ka theksuar  se Evropa nuk ka as pajisjet dhe as municionet që do të ishin të nevojshme në një konflikt me rusët, raporton AP. 

Orban, një figurë udhëheqëse e së djathtës ekstreme në Evropë, ka pasur  prej kohësh lidhje të ngushta me presidentin e ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump dhe ishte lideri i parë i BE-së që e mbështeti publikisht republikanin gjatë fushatës së tij për president.

Orban konsiderohet gjithashtu gjerësisht si partneri më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në BE dhe ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Kremlinin edhe pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Kohët e fundit, Orban ka këmbëngulur vazhdimisht se Trump do t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe e ka cilësuar konfliktin si një luftë ndërmjetëse midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Orban ka argumentuar se situata po ndërlikohej nga fakti se SHBA-ja ishte në mesin e  administratave me pikëpamje të kundërta për konfliktin në Ukrainë.