Zgjedhjet në SHBA dhe BE

Orban kërkon mbështetje për Trumpin dhe të djathtën ekstreme evropiane

Viktor Orban

Viktor Orban

Foto: Associated Press

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka bërë thirrje për fitore të forcave të krahut të djathtë në zgjedhjet evropiane që mbahen në qershor, dhe ka ofruar mbështetje për ish-presidentin, Donald Trump në procedurën e shumëfishtë penale kundër tij.

Viktor Orban, një populist i krahut të djathtë dhe udhëheqësi më jetëgjatë i Bashkimit Evropian, u ka thënë mbështetësve në konferencën e tretë vjetore të CPAC në Hungari të enjten, se konservatorët në të gjithë Perëndimin, duke përfshirë atë dhe Trump, janë nën sulmin e një rendi hegjemonist liberal, raporton AP.

Sipas tij, zgjedhjet e BE-së në qershor dhe zgjedhjet në SHBA në nëntor, do të jenë një shans për të nisur një "epokë sovraniteti" për t'i dhënë fund asaj që ai e quajti "shpirti progresiv botëror".

“Këto zgjedhje përkojnë me ndryshime të mëdha në tendencat politike dhe gjeopolitike botërore. Rendi i botës po ndryshon dhe ne duhet të marrim kauzën tonë për të triumfuar në mes të këtyre ndryshimeve. Liberalët progresivë e ndjejnë rrezikun. Të zëvendësosh këtë epokë do të thotë t'i zëvendësosh ata”, ka deklaruar Orban.