Botë

Orban injoron kritikat e BE-së: Brukseli s’ka dhënë rezultat në kërkim të paqes në Ukrainë

Orban & Putin

Orban & Putin

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka injoruar kritikar e liderëve të Bashkimit Evropian për vizitën e tij në Moskë, ku diskutoi perspektivat për zgjidhje të luftës në Ukrainë me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas kryeministrit hungarez, burokracia e BE-së nuk ka bërë asgjë për të nxitur normalizimin mes palëve në konflikt.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, thanë se Orbani nuk ka mandat të BE-së për të zhvilluar bisedime me Rusinë. Ata theksuan se presidenca hungareze e Këshillit të BE-së nuk i jep të drejtën të flasë në emër të të gjithë BE-së. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi gjithashtu vizitën e Orbanit, duke thënë se pajtimi nuk do të funksionojë me Putinin dhe se vetëm uniteti dhe vendosmëria mes Perëndimit mund ta ndalojë atë.

“Ky absurd burokratik i Brukselit nuk ka dhënë asnjë rezultat në drejtim të kërkimit të rrugëve për paqe në luftën ruso-ukrainase. Nëse duam t'i japim fund luftës, ne kemi nevojë për qasje politike, jo burokratike”, ka shkruar Orban në “X”.

Kryeministri hungarez ka thënë më herët se vendi i tij nuk dëshiron të flasë në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, por vepron në mënyrë të pavarur në një mision paqeruajtës në interes të përfundimit të luftës në Ukrainë. Ai theksoi se ky është qëndrimi i tij në lidhje me vizitën në Kiev më 2 korrik dhe Moskë më 5 korrik.