Botë

Orban i drejtohet popullit hungarez: Kemi dy muaj të rrezikshëm përpara, duhet të shmangim luftën

Kryeministri hungarez Viktor Orban

Kryeministri hungarez Viktor Orban

Kryeministri hungarez Viktor Orban iu drejtua kombit pas një takimi të jashtëzakonshëm me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe foli për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit në territorin e Ukrainës.

Në fillim të video-adresës, Orbani zbuloi arsyet e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Mbrojtjes.

“Është e mërkurë dhe ne kemi lajme ogurzi nga Ukraina. Prandaj mblodha Këshillin e Mbrojtjes. Dy muajt më të rrezikshëm të luftës janë përpara nesh. Me fitoren e presidentit Donald Trump, paqja, ose të paktën armëpushimi, është i mundur. Megjithatë, qeveria pro luftës është ende në pushtet në SHBA edhe për dy muaj të tjerë”, ka thënë Orban.

Orbani gjithashtu komentoi vendimin e presidentit rus Vladimir Putin për përditësimin e doktrinës bërthamore.

“Kjo do të thotë në praktikë që ukrainasit hodhën raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus dje dhe rusët miratuan doktrinë më rigoroze bërthamore si përgjigje. Kam dëgjuar raportin e Këshillit të Mbrojtjes. Rreziku i përshkallëzimit, i përhapjes së luftës, nuk ka qenë kurrë më i madh sesa në javët e ardhshme. Për muaj të tërë, do të nevojiten të gjitha njohuritë, burimet dhe përvoja diplomatike hungareze për të shmangur këtë luftë. Sepse Hungaria duhet të qëndrojë larg kësaj lufte”, përfundoi ai.

Tensionet në luftën në Ukrainë janë rritur ditëve të fundit pasi presidenti Joe Biden mori vendim ta lejojë Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS që të sulmojë brenda territorit rus. Kjo bëri që presidenti rus Vladimir Putin të martën ta përditësojë doktrinën bërthamore.