Botë

Opozita në Birmani sulmon me dronë ushtrinë në kryeqytet

Birmani

Ushtria sulmohet me dronë

Foto: Associated Press

Opozita në Birmani ka thënë se ka urdhëruar një sulm masiv me dronë mbi ushtrinë e vendit, në kryeqytetin Nay Pyi Taw.

Qeveria e Unitetit Kombëtar (NUG) ka thënë se 29 dronë të pajisur me eksplozivë kanë shënjestruar aeroportin, bazën ajrore dhe selitë e ushtrisë, raporton BBC.

Ushtria ka thënë se ka rrëzuar shtatë dronë, derisa një prej tyre ka eksploduar në pistën e aeroportit. Nuk raportohet për fatalitete.

NUG përfaqëson qeverinë e zgjedhur civile, të udhëhequr më parë nga Aung San Suu Kyi, e cila ishte rrëzuar nga gusht-shteti i ushtrisë, i vitit 2021. 

Që atëherë, ajo dhe grupe të tjera opozitare e kanë luftuar regjimin e juntës, e cila ka nisur të humbasë zona të mëdha të vendit nga luftëtarët e rezistencës.

Lufta tre-vjeçare civile e shtetit ka lënë të vdekur mijëra njerëz dhe ka zhvendosur 2.6 milionë të tjerë sipas Kombeve të Bashkuara. 

Sulmi i mëngjesit të së enjtes në kryeqytet shënon një tjetër inkursion të guximshëm dhe të rrallë nga grupet e rezistencës që po ngrenë një opozitë gjithnjë e më efektive ndaj juntës.