Botë

“OnlyFans” e quan veten të sigurt. Abuzuesit po i keqpërdorin fëmijët

Platforma OnlyFans

Platforma “OnlyFans” thotë se kontrollon çdo përdorues dhe të gjitha përmbajtjet, për t’u siguruar që fëmijët nuk janë pjesë e platformës me përmbajtje pornografike. Por hulumtimi nga “Reuters” i dokumenteve të policisë dhe gjykatave amerikane ka gjetur ankesa se në uebfaqe qarkullojnë qindra video dhe pamje eksplicite të të miturve

Kur një 16-vjeçare nga Florida u zhduk në prill të vitit 2023, prindërit kërkuan gjurmë në celularin e saj. Çfarë gjetën i tronditi: Për muaj të tërë ajo i kishte dërguar foto dhe video nudo një burri, për të cilin frikësoheshin se e kishte grabitur. 

“Një burrë fluturoi nga New Jersey”, i ka thënë policisë, babai i saj i tronditur. “Ka ca gjëra seksuale dhe foto eksplicite... Diçka e tillë është e tmerrshme”.

Sipas raportimeve të policisë, ditën tjetër zëvendësit e sherifit e gjetën vajzën, gjysmë të zhveshur, në një shtëpi të marrë me qira nga burri i dyshuar. Hetimi gjeti se ai kishte postuar dhjetëra video dhe pamje seksuale të vajzës në “OnlyFans”, platformë e njohur online me përmbajtje pornografike të shkrepura në shtëpi. Në një video, që shitej për 20 dollarë, shihej vajza e mitur duke kryer akte intime. Burri Ethan Diaz, 22-vjeçar, më vonë u akuzua për trafikim të qenieve njerëzore dhe vepra të tjera. Ai u deklarua i pafajshëm.

“OnlyFans” megjithatë i premton publikut se “është vetëm për të rriturit, ka masa të sofistikuara për të monitoruar çdo përdorues, fshirje a raportim të çdo materiali me abuzim seksual ndaj fëmijëve”. “Ne e dimë moshën dhe i identifikojmë të gjithë në platformën tonë”, ka thënë shefja ekzekutive, Keily Blair. “Nuk lejohen fëmijët, askush nën moshën 18-vjeçare”.

Çështja e vajzës nga Florida, e detajuar në dosjet e policisë, i rrëzon pretendimet e platformës. Dhe nuk është rast i izoluar.

“Reuters” ka monitoruar 30 ankesa në dosjet e policisë dhe gjykatave amerikane dhe ka parë se materiale të abuzimit seksual ndaj fëmijëve janë gjetur në këtë uebfaqe mes dhjetorit të vitit 2019 dhe qershorit të vitit 2024. Të dhënat e analizuara kanë përmendur më shumë se 200 video dhe pamje eksplicite të fëmijëve, duke përfshirë disa të rritur që kryenin seks oral me fëmijë. Sipas një hetuesi, në një rast, disa video të një miture kanë qëndruar në “OnlyFans” për më shumë se një vit. 
Ndikimi në disa viktima ka qenë shkatërrues. “Pasi mora vesh për videon, nuk mund të dilja jashtë nga frika se dikush do ma shihte fytyrën”, ka thënë një i ri, pasi një video e tij në moshën 15-vjeçare me një trajner futbolli doli në shitje në “OnlyFans”.

Prindërit kanë shprehur mosbesim dhe zemërim. “Duhet të mbahet dikush përgjegjës për këto platforma”, ka thënë babai i një djali 16-vjeçar nga Kansasi. Ky rast i familjes, sipas tij, është “plagë që nuk do të shërohet kurrë”.

Nga 30 rastet, më shumë se gjysma kanë rezultuar në arrestim dhe të paktën tri dënime me burgim. Shumica – bashkë me rastin e vajzës së zhdukur nga Florida – përfshijnë të rritur të akuzuar për keqpërdorim të të miturve për të krijuar përmbajtje eksplicite dhe shitje të tyre në uebfaqe. Të dhënat nga Policia kanë treguar se në rastet e tjera, të miturit i kanë kaluar bllokadat e “OnlyFans” për ta krijuar vetë materialin e tyre eksplicit. Në rastet që përfshijnë fëmijët, një burrë i ka dërguar një tjetri më shumë se 100 materiale që përfshinin abuzimin e fëmijëve të të gjitha moshave. 

30 raste tregojnë për praninë e abuzimit seksual të fëmijëve në “OnlyFans”. “Reutersi” ka përdorur ligjet për përdorim të të dhënave publike për të siguruar qasje në dokumentet që përmendnin “OnlyFansin” nga më shumë se 250 agjenci të mëdha të zbatimit të ligjit në SHBA. Gati gjysma e tyre ofruan  të dhëna, të tjerat kishin edituar ose refuzuar t’i zbulonin rastet që përfshijnë fëmijë, duke përmendur ligjet shtetërore për ta mbrojtur identitetin e të miturve.

“’OnlyFans’ është krenar me punën e bërë për t’i shënjestruar, raportuar dhe mbështetur hetimet dhe dënimet e të gjithëve që përpiqen ta abuzojnë platformën në këtë mënyrë”, ka thënë një zëdhënës i platformës.

Zëdhënësi ka thënë se “OnlyFans” ka “kontroll të rreptë të sigurisë” dhe se ka raportuar të gjitha rastet e dyshuara të abuzimit seksual të fëmijëve në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC). 

“OnlyFans” nuk u është përgjigjur shumicës së pyetjeve për rastet në këtë histori, duke e përfshirë se si është e mundur që abuzimi i fëmijëve ta kalojë sigurinë e tyre dhe nëse i ka mbajtur të ardhurat nga llogaritë që përfshijnë të miturit. Reuters nuk ka gjetur prova se “OnlyFans” është paditur ose mbajtur përgjegjës për përmbajtjet e tilla.

Rregullat ligjore të lirisë së të shprehurit i kanë imunizuar rrjetet sociale nga përgjegjësia për përmbajtje abuzive të postuara nga përdoruesit e tyre. Por ndërsa rriten shqetësimet për dëmet që shkaktohen online – sidomos ndaj fëmijëve – Kongresi është duke dashur t’i forcojë ligjet federale për t’i mbajtur platformat përgjegjëse.

Në një seancë dëgjimore të Senatit Amerikan në janar, sa u përket ndikimeve të rrjeteve sociale, ligjbërësit kanë sulmuar “Meta-n” dhe katër platforma të tjera të mëdha nën pretendimet se janë duke dështuar t’i mbrojnë fëmijët. Shefi ekzekutiv i “Meta-s”, Mark Zuckerberg, kishte premtuar se do të ndërmerrte veprime.

“OnlyFans”, që nuk është thirrur në seancën e Senatit, është lavdëruar nga punonjësit e seksit për bërjen e pornografisë më të sigurt dhe më fitimprurëse. Të famshmit dhe influencerët e rrjeteve sociale, mësuesit dhe nënat mburren se platforma i ka bërë të pasur. 3,2 milionë krijues të përmbajtjeve zakonisht shesin pamje dhe video eksplicite për tarifën e abonimit mujor, plus një pagesë tjetër, duke mbajtur 80% të shitjeve. “OnlyFans” e merr pjesën tjetër –që ka sjellë pothuajse 1.1 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2022, tregojnë zbulimet e fundit financiare.

Këto abonime e bëjnë faqen të vështirë për t'u kontrolluar. Shumica e përmbajtjeve janë të paarritshme për joabonentët dhe për këtë arsye më e vështirë për t'u gjetur dhe monitoruar në krahasim me platforma të tilla si “Facebook” ose “X”.

Kjo mund t’i ngadalësojë hetimet e abuzimeve të supozuara të fëmijëve në “OnlyFans”, ka thënë Matt W.J. Richardson, hetues i shfrytëzimit të fëmijëve. “Është shumë e vështirë të dihet saktë ose se sa ka atje”. 

Vizituesit e “OnlyFans.com” mund t’i kërkojnë përdoruesit përmes emrave të llogarive; nuk mund ta kërkojnë përmes kategorisë së interesit. Kjo i bën krijuesit shumë të varur në rrjetet e njohura sociale për të sjellë fansa në llogaritë e tyre të “OnlyFans”.

Të dhënat nga policia tregojnë se disa kriminelë përdorin këto faqe për t’i gjetur të miturit për t’i shfrytëzuar në “OnlyFans”.

Kjo supozohet se është mënyra se si Diazi, burri nga New Jersey, e ka gjetur vajzën nga Florida. Sipas policisë, gjithçka ka filluar në “Snapchat”.

“Romeo pimps”

Vajza ka qenë duke postuar pamje nudo në “Snapchat”. Diazi i ka shkruar në shkurt të vitit 2023, duke u paraqitur si grua që – me ndihmën e një shoku - ka bërë shumë para duke shitur foto të tilla. 
Diazi e ka prezantuar veten si shoku, duke i shkruar nën emrin e vërtetë. Ai ia ka fituar besimin. Ia ka blerë një telefon dhe i ka thënë se ishte e bukur, ka thënë detektivi Johns Edward Scoggins, që e ka hetuar çështjen. Në fund, ka treguar detektivi, Diazi i ka thënë asaj se e donte dhe se donte të ishte me të përgjithmonë.

Scoggins ka treguar se taktikat e tilla përdoren shpesh nga “Romeo Pimps”, persona që përdorin dashurinë dhe dhuratat për “ta manipuluar dikë për të bërë gjëra që përndryshe nuk do t’i bënin”. 

Diazi e ka shtyrë vajzën të bëjë video duke masturbuar dhe me lodra të seksit, e pastaj i ka shitur në llogarinë e “OnlyFans” që e kontrollonte. Vajza gjithashtu ka postuar përmbajtje seksuale të vetes në llogari, që supozohet se është kontrolluar nga Diazi.

Pastaj, më 30 prill të vitit të kaluar, Diazi ka fluturuar nga New Jersey për ta filmuar veten duke kryer marrëdhënie me të. Pornografia me dy njerëz është “më e kërkuar” në “OnlyFans” sesa videot e saj ku shihet e vetme, i ka thënë ai vajzës. Ai e ka marrë dhe e ka dërguar në një Airbnb. Sipas Scoggins dhe fotove të policisë ai e ka dërguar për të blerë gjëra, të brendshme, bizhuteri dhe këpucë.

Kur policët i kanë gjetur aty, Diazi veçse i kishte filmuar gjashtë video të tilla me vajzën. Ai është arrestuar para se të arrinte t’i postonte videot.

Gjithsesi, brenda 3 muajve në vitin 2023, Diazi ka arritur të postonte rreth 100 video të vajzës në faqe, ka thënë Scoggins.

Diaz u është shmangur kontrolleve që synonin t'i mbanin mbajtësit e llogarive përgjegjës për përmbajtjet e tyre. Nën rregullat e tanishme të “OnlyFans”, përdoruesit duhet të ofrojnë të paktën nëntë pjesë të informacioneve dhe dokumenteve identifikuese, duke përfshirë detajet e bankës, një foto duke e mbajtur një ID me foton qeveritare. Të gjitha këto verifikohen nga një njeri dhe teknologji e kohës që e analizon foton, sipas kompanisë.

Por Diazi ka hapur llogarinë dhe e ka shtyrë një grua tjetër ta verifikonte si të sajën, ka thënë Scoggins. Ajo grua, të cilën policia nuk e ka identifikuar, më vonë e la “OnlyFans”. Por llogaria e saj ka mbetur dhe në të ka pasur qasje Diazi. Ai e ka mbushur atë me video të vajzës dhe e ka promovuar përmbajtjen në “Snapchat” dhe “Discord”, për të sjellë konsumatorë në faqen e saj të “OnlyFans”. Ai i ka bërë rreth 10 mijë dollarë nga tri platformat, ka thënë Scoggins, dhe e ka paguar vajzën 1500 dollarë.

Një zëdhënës i “Snapchatit” ka thënë se “masat e forta” të platformës e bëjnë “të vështirë për adoleshentët të zbulohen dhe të kontaktohen nga të huajt”. Një zëdhënës i “Discord” ka thënë se “përmbajtjet në dëm të fëmijëve” nuk kanë vend në platformë.

Diaz është duke e pritur gjykimin në gjykatën e shtetit, i akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore, akuza të shumta të promovimit të performancës seksuale nga një fëmijë dhe krime të tjera. Në një deklaratë, James Hill, avokati i tij, ka thënë se Diazi ka qenë “vetëm 21 vjeç” kur është arrestuar. “Nga data e arrestimit të tij ai ka qenë duke luftuar kundër këtyre akuzave ndaj tij”, ka shtuar Hilli. “Ai sipas ligjit është i pafajshëm”.

Nëse gjendet fajtor për akuzat, Diazi përballet me dënim të përjetshëm.

Në ndërkohë, vajza ka mbetur e traumatizuar, i ka thënë familja zyrës së Prokurorisë së shtetit. “Asnjë lëndim fizik”, ka thënë një familjar, “por trauma emocionale”.

“Ne shohim gjithçka”

“OnlyFans” e ka bërë sigurinë online qendër të imazhit të vet.

“Ne kontrollojmë të gjitha përmbajtjet në platformën tonë. Çdo tekst, çdo mesazh, çdo audio, çdo livestream, gjithçka kontrollohet. Ne shohim gjithçka”, ka thënë shefja ekzekutive, Blair, në vitin 2023.

Zëdhënësi i kompanisë ka thënë se “mungesa e anonimitetit dhe mungesa e kriptimit end-to-end në “OnlyFans” i lejojnë zbatuesit e ligjit t’i hetojnë raportet për përmbajtje të paligjshme në faqe. Kriptimi end-to-end i mban të dhënat tërësisht private midis dërguesit dhe marrësit.

Disa grupe të mbrojtjes së fëmijëve e kanë lavdëruar “OnlyFans”. NCMEC-ja që financohet nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, ka thënë se platforma merr pjesë në nisma vullnetare për të zbuluar dhe hequr përmbajtjet abuzive dhe ka masa sigurie, të tilla si kontrollet e moshës dhe identitetit, që disa faqe të tjera nuk e bëjnë. 

Fondacioni i “Internet Watch”, organizatë joqeveritare e fokusuar në ndalimin e abuzimit seksual online, e quan “OnlyFans” “lider të industrisë në sigurinë online”. Sipas tyre, “OnlyFans” paguan 90 mijë funte në vit për shërbimet e veta, të dizajnuara për t’i gjetur pamjet e abuzimit të fëmijëve.

Megjithatë, një hetim i bërë nga “Reuters” në mars ka gjetur të meta në proceset e uebfaqes për përmbajtjet e të rriturve. Në më shumë se 120 raste në Shtetet e Bashkuara dhe 18 në Britani, të rriturit janë ankuar se materiale eksplicite janë postuar pa vetëdijen e tyre, në kundërshtim me rregullat e “OnlyFans”. Një zëdhënës i “OnlyFans” ka thënë se keqpërdorimi i platformës është i rrallë.
Sipas të dhënave të policisë dhe intervistave, përdoruesit e mitur mund ta tejkalojnë kontrollin e “OnlyFans” dhe t’i postojnë materialet e tyre eksplicite për shitje. Një grua 19-vjeçare nga Maryland, Monie Graham, ka thënë se ka hapur dy llogari si e mitur, të dyja herët duke iu shmangur sistemit të verifikimit të moshës.

Pasi ka shkëlqyer në shkollë të mesme dhe ka diplomuar një vit më herët në qershor të 2022-s, Grahami është rebeluar, ka thënë ajo dhe nëna e saj, Krystal McKeever. Grahami është kthyer në shtëpi vonë, është grindur dhe ka refuzuar të gjente një punë. McKeeveri e ka dëbuar atë.

Në atë shtator, Grahami ka thënë se i është dashur të postonte në “OnlyFans” nga dëshpërimi. “Jam ndier e frikësuar, nuk dija ç’të bëja. Më është dashur një mënyrë për të bërë para. A aty, thashë, në rregull, do  të filloj të postoj në ‘OnlyFans’”.

Duke e përdorur patentën e shoferit të një të njohuri të rritur, ka krijuar një llogari në “OnlyFans” dhe ka filluar të shesë materiale seksualisht eksplicite të saj. Ajo kishte filluar të fitonte para.

McKeever ka thënë se e ka zbuluar llogarinë në dhjetor të vitit 2022. Shokët i kanë dërguar asaj mesazhe alarmuese me foto dhe incizime të marra nga llogaria e Grahamit, ku ajo shihej duke kryer marrëdhënie me “burra të rritur”.

Ajo i ka përdorur “Twitterin” dhe “Instagramin” për ta promovuar faqen e saj, ka thënë McKeever. “Kam një shitje”, ka postuar ajo në “Instagram”. “Pesë abonentët e parë do ta kenë vetëm për 5 dollarë”.

McKeever i ka raportuar videot te “OnlyFans” dhe ka ofruar të sigurojë certifikatë të lindjes së Grahamit. Ajo ka marrë mesazhe nga “OnlyFans”, duke thënë se do të hetonin dhe do t’i kthenin përgjigje. Llogaria e vajzës ka mbetur në faqe për javë të tëra.

“Kam vazhduar ta kontrolloj çdo ditë dhe ishte akoma”, ka thënë McKeever. “Ata s’më kanë kthyer përgjigje më”.

McKeever ka dashur ta padisë “OnlyFans” për përmbajtje ilegale të të miturve. Por kur ka kontaktuar policinë, oficeri i ka thënë se nuk mundet, “për shkak se nuk e dinte për kë ta shkruante akuzën”, ka thënë McKeever.

E stresuar, McKeever ka thënë se ka thirrur Zyrën Federale të Hetimit dhe ka kërkuar ndihmë për t’i hequr videot. Brenda pak javësh, e gjithë llogaria e adoleshentes është mbyllur.

Por Graham ka gjetur një mënyrë tjetër. Ajo i ka pyetur ndjekësit e “Instagramit” nëse dikush ka një llogari që nuk e përdorte. Një grua “vetëm ma ka dhënë”. Edhe pse e mitur, Graham ka vazhduar të postojë video në llogarinë e re.

“Nuk do të doja që një i mitur të ndërmerrte hapat e mi”, ka thënë ajo. “Por në të njëjtën kohë, mu desh ta bëja”.

Richardson ka gjetur disa video të Grahamit të postuara në llogarinë e re më 4 janar të vitit 2023, disa muaj para ditëlindjes së 18-të të saj.

Videot kanë qenë të etiketuara me emrin e llogarisë së Grahamit dhe veçse ishin vendosur në të renë. Videot kanë qëndruar në llogari, të pavërejtura nga “OnlyFans” për 16 muaj. Richardsoni i ka raportuar videot në qershor te NCMEC-i dhe llogaria është mbyllur brenda disa ditëve. 

(Nesër në vazhdimin e këtij teksti mund të lexoni se si të miturit, të joshur nga paratë arrijnë të krijojnë llogari në “Onlyfans”, pavarësisht se platforma e ka të ndaluar, dhe se si disa të tjerë janë abuzuar nga persona të rritur me të cilët kanë qenë në lidhje. Gjithashtu do të mund të lexoni për heshtjen e platformës për raste ku të miturit shfaqen në video me përmbajtje seksuale).