Mijëra adhurues të birrës janë radhitur të shtunën herët për të qenë ndër të parët që cakërrojnë gotat e tyre në një tendë të Oktoberfestit, ndërsa ky festival pritet të nisë për të 189-n herë.
Kryetari i Munihut, Dieter Reiter, do ta hapë zyrtarisht Oktoberfestin në mesditë. Festimi zgjat deri më 6 tetor në 18 tenda të mëdha që mbulojnë zonën Theresienwiese.
Festivali i sivjetmë është i rrethuar me siguri më të madhe pas sulmit vdekjeprurës në Solingen. Organizatorët kanë shtuar detektorë metali te siguria për herë të parë në historinë e Oktoberfestit.
Rreth 6 milionë vizitorë priten në festivalin 16-ditorë – 600,000 çdo ditë, raportoi AP.
Mikael Caselitz, 24 vjeç, është lindur e rritur në Munih dhe ka marrë pjesë në Oktoberfest me vite. Ai ka thënë se çdokush duhet të shkojë në Munih për festivalin të paktën një herë në jetën e tyre.
Ollie Standen u zgjua në 6 të mëngjesit për ta zënë radhën në Oktoberfest. Ai është student nga Anglia i cili thotë se do të provojë të gjitha llojet e birrave gjermane që nuk mund t’i gjejë në Angli.
Festivali qe ndaluar më 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë COVID-19, por ishte rikthyer më 2022.
Oktoberfesti i parë ishte mbajtur më 17 tetor 1810 për të festuar martesën e Princit Ludëig të Bavarisë me Theresën e Saxonyt. Vendi u quajt “Theresienwiese” në nderim të nuses. Ndërsa emri ende mbetet kështu, data ka lëvizur në shtator për shkak të temperaturave më të ngrohta në Bavari gjatë këtij muaji.
