Urdhrat e njëpasnjëshme të evakuimit të Izraelit në Gaza, përfshirë 12 vetëm në gusht, kanë zhvendosur 90% të 2.1 milionë banorëve të vendit që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, ka bërë të ditur Organizata e Kombeve të Bashkura (OKB).
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit ka njoftuar se në Gaza edhe virusi i poliomielitit është shfaqur për herë të parë në 25 vjet për shkak të shkatërrimit të spitaleve, infrastrukturës dhe kushteve të dobëta të jetesës, raporton Associated Press.
Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, thotë se ajo dhe Presidenti Joe Biden po punojnë për t’i dhënë fund luftës.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka njoftuar se një delegacion nga vendi ka mbërritur në Kajro për të rifilluar përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi. Bisedimet po ndërmjetësohen nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari. Një pengesë e madhe që u shkaktua gjatë bisedimeve ishte kërkesa e Izraelit për kontroll të qëndrueshëm mbi dy korridoret strategjike në Gaza.
Lufta filloi më 7 tetor, kur Hamasi dhe militantë të tjerë sulmuan Izraelin, vranë rreth 1200 njerëz – kryesisht civilë – dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Rreth 110 pengje janë ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur. Ofensiva izraelite e nisur si përgjigje ka vrarë mbi 40 mijë palestinezë në Gaza, sipas Ministrisë lokale të Shëndetësisë, e cila nuk raporton se sa ishin militantë apo civilë.