Botë

OKB: Talebanët arrestuan gazetarë mbi 250 herë që nga ardhja në pushtet

Talebanët duke festuar trevjetorin e tërheqjes së trupave të Amerikës nga Afganistani. Foto 14 gusht 2024

Talebanët duke festuar trevjetorin e tërheqjes së trupave të Amerikës nga Afganistani. Foto 14 gusht 2024

Foto: Associated Press

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thënë të martën se talebanët kanë ndaluar gazetarë 256 herë që nga marrja e pushtetit tre vjet më parë dhe u ka kërkuar autoriteteve t’i mbrojnë mediat, raporton Reuters.

Si përgjigje ndaj raportit, Ministria e Jashtme e udhëhequr nga talebanët ka mohuar arrestimin e tërë atyre gazetarëve dhe ka thënë se ka arrestuar vetëm ata që kanë kryer krim.

Në një deklaratë misioni i OKB-së (UNAMA) dhe Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut kanë thënë se Gazetarët në Afganistan kanë punuar nën “kushte sfiduese”.

“Ata shpesh përballen me rregulla të paqarta se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të raportojnë, duke u rrezikuar nga ndalimi arbitrar për kritikat e perceptuara”, ka thënë Roza Otunbayeva, përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve de fakto që ta garantojnë sigurinë e të gjithë gazetarëve dhe punonjësve të medias, derisa i kryejnë detyrat e tyre dhe gjithashtu ta njohin plotësisht rëndësinë e grave që punojnë në media”.

Në përgjigjen e saj, ministria tha se gratë vazhduan të punojnë në media, duke iu nënshtruar disa kushteve për t’iu përshtatur rregullave të moralit fetar, të tilla si mbulimi i fytyrës dhe puna e ndarë nga burrat.

Ministria e përshkroi raportin e OKB-së si “larg realitetit aktual” dhe tha se forcat e sigurisë po punonin për t’i mbrojtur gazetarët. Ministria afgane e informacionit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Ministria e Jashtme ka thënë se numri i të arrestuarve është “ekzagjeruar” dhe ndalimet janë bërë në bazë të ligjit.

“Askush nuk është arrestuar arbitrarisht”, ka thënë Ministria, duke i renditur shkeljet e të ndaluarve.

Këto shkelje përfshinin: inkurajimin e njerëzve kundër sistemit, shpifjet ndaj qeverisë dhe ofrimin e raporteve të rreme dhe të pabaza, e deri te bashkëpunimi me armiqtë e sistemit në media dhe ofrimi i materialit për organet e medias kundër sistemit.

Talebanët erdhën në pushtet në vitin 2021, pas tërheqjes së forcave të huaja, duke u zotuar ta rikthenin sigurinë dhe ta imponojnë interpretimin e rreptë të ligjit islamik.

Administrata e tyre nuk është njohur zyrtarisht nga asnjë qeveri e huaj dhe diplomatët perëndimorë kanë thënë se rruga drejt njohjes po bllokohet nga frenimet e grave prej talebanëve.