Eksod

OKB: Mbi 53 mijë njerëz janë larguar nga Haiti për tri javë shkaku i bandave

Haiti - bandat

Më shumë se 53 mijë njerëz janë larguar nga kryeqyteti i Haitit në më pak se tre javë, shumica dërrmuese për t’i shpëtuar dhunës së pandërprerë të bandave, sipas një raporti të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të publikuar të martën.

Të shtënat me armë kanë zbrazur rrugët e qendrës së Port-au-Princet, ku shumica e dyqaneve dhe bizneseve janë mbyllur për më shumë se një muaj, raporton “Associated Press”.

Në një pjesë tjetër të qytetit, mbështetësit e ish-udhëheqësit rebel, Guy Philippe, kanë bllokuar rrugët derisa përpiqeshin që të organizonin një protestë për të kërkuar që Philippe të ishte pjesë e procesit politik të vendit.

Eksodi i vazhdueshëm nga kryeqyteti i rreth 3 milionë njerëzve filloi menjëherë pasi bandat e fuqishme nisën seri sulmesh ndaj institucioneve qeveritare duke filluar nga 29 shkurti.

Persona të armatosur kanë djegur stacionet e policisë, kanë shtënë me armë zjarri në aeroportin kryesor ndërkombëtar i cili është mbyllur dhe kanë sulmuar dy burgjet më të mëdha të Haitit, duke liruar më shumë se 4 mijë të burgosur.

Më shumë se 1.500 njerëz janë raportuar të vrarë deri më 22 mars, dhe 17 mijë të tjerë kanë mbetur të pastrehë si pasojë e dhunës, sipas raportit të OKB-së.