Botë

OKB: Mbetjet e një rakete balistike të Koresë së Veriut goditën Kharkivin

Raketa balistike Hwasong, Koreja e Veriut

Foto: Associated Press

Mbetjet e një rakete që goditi qytetin ukrainas të Kharkiv më 2 janar ishin të raketës balistike, Hwasong-11, të Koresë së Veriut, sipas një raporti monitorues të Kombeve të Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”. 

Në raportin 32-faqësh, ekspertët e OKB-së arritën në përfundimin se “mbetjet e gjetura nga një raketë që goditi Kharkivin, Ukrainë, më 2 janar 2024 janë të një rakete të serisë Hwasong-11 të Koresë së Veriut” dhe kjo është në kundërshtim me embargon e armëve në Korenë e Veriut.

E njohur zyrtarisht si Republika Popullore Demokratike e Koresë (DPRK), Koreja e Veriut ka qenë nën sanksionet e OKB-së për programet e saj të raketave balistike dhe bërthamore që nga viti 2006, dhe këto masa janë forcuar me kalimin e viteve.

Tre monitorues të komitetit të sanksioneve të OKB-së kanë udhëtuar në Ukrainë në fillim të këtij muaji për të inspektuar mbetjet dhe nuk gjetën prova se raketa ishte prodhuar nga Rusia, raporton “Reuters”.

“Informacionet mbi trajektoren e ofruar nga autoritetet ukrainase tregojnë se ajo është nisur nga territori i Federatës Ruse”, kanë theksuar në një raport të 25 prillit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerët kanë akuzuar Korenë e Veriut për transferimin e armëve në Rusi, armë të cilat janë përdorur kundër Ukrainës. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. 

Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në muajin shkurt, SHBA-ja akuzoi Rusinë për lëshimin e raketave balistike të prodhuara në Korenë e Veriut. U tha se Rusia përdori në nëntë raste kundër Ukrainës raketa të tilla.

Muajin e kaluar Rusia i vuri veton një rezolute të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke i dhënë fund mandatit të panelit të ekspertëve të OKB-së, që monitoronte sanksionet kundër Koresë së Veriut.