Botë

OKB-ja thotë se në Gaza ende nuk kanë hyrë ndihmat

ndihma - Gaza

Kamionë me ndihma janë parë në pikëkalimin kufitar Kerem Shalom në anën izraelite të enjten, raporton “Associated Press”.

Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën se ka rihapur pikëkalimin Kerem Shalom në Gaza, pas disa ditësh mbylljeje.

Por OKB-ja ka bërë të ditur se asnjë ndihmë humanitare nuk ka hyrë ende në Gaza dhe madje nuk ka as njerëz të cilët mund t’i marrin ato në anën palestineze pasi punëtorët e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, u larguan nga zona gjatë inkursionit ushtarak të Izraelit. 

Pikëkalimi kufitar Kerem Shalom midis Gazës dhe Izraelit u mbyll gjatë fundjavës pas një sulmi me raketë të Hamasit, si pasojë e të cilit u vranë katër ushtarë izraelitë. Të martën, tanket izraelite pushtuan vendkalimin afër Rafahut midis Gazës dhe Egjiptit, duke detyruar kështu mbylljen e tij. 

Zyrtarë të OKB-së kanë paralajmëruar se mbyllja e pikëkalimeve kufitare mund të shkaktojë kolapsin e operacioneve të ndihmës, duke përkeqësuar kështu krizën humanitare në Gaza.


Protestuesit tentojnë të bllokojnë kalimin e ndihmave humanitare në Gaza 

Dhjetëra protestues, disa prej të cilëve mbanin flamuj izraelitë, janë mbledhur pranë pikëkalimit kufitar Kerem Shalom dhe janë përpjekur që të bllokojnë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza të enjten.

Kerem Shalom është pikëkalim kyç i mallrave midis Izraelit dhe Gazës, raporton “Associated Press”.
Protesta në Kerem Shalom u organizua nga lëvizja “Tzav 9”, e cila gjatë muajve të fundit ka organizuar protesta në pikëkalime të ndryshme me Rripin e Gazës, me shpresën për të bllokuar kalimin e ndihmave.

Sipas protestuesve bllokimi i kalimit të ndihmave mund ta detyrojë Hamasin që t’i lirojë mbi 100 pengjet e mbajtura nga grupi militant.

Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën se ka rihapur pikëkalimin Kerem Shalom në Gaza, pas disa ditësh mbylljeje. Por OKB-ja ka bërë të ditur se asnjë ndihmë humanitare nuk ka hyrë ende në Gaza.