Botë

OKB-ja nis në Gaza vaksinimin e fëmijëve kundër polios

Vaksinimi i fëmijëve në Gaza

Vaksinimi i fëmijëve në Gaza

Foto: Associated Press

Kombet e Bashkuara në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore palestineze, kanë filluar të vaksinojnë 640,000 fëmijë në Rripin e Gazës të dielën, pak pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një pauzë në luftimet e tyre 11-mujore, në mënyrë që të vazhdojë vaksinimi. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar muajin e kaluar se një foshnjë ishte paralizuar pjesërisht nga virusi i poliomielitit të tipit 2, rasti i parë i tillë në territor në 25 vjet, raporton Reuters.

Fushata filloi të dielën në zonat e Gazës qendrore dhe do të zhvendoset në zona të tjera në ditët në vijim. 

Luftimet nuk do të zhvillohen për të paktën tetë orë, në tri ditë rresht.

OBSH-ja ka thënë se pauzat ka të ngjarë të duhet të zgjasin deri në ditën e katërt dhe se rundi i parë i vaksinimeve do të zgjasë më pak se dy javë.

“Këto janë orët e para të fazës së parë të një fushate masive, një nga më komplekset në botë”, ka thënë Juliette Touma, drejtoreshë e komunikimit e UNRWA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë.

"Sot është koha e provës që palët në konflikt të respektojnë këto pauza në zonë për të lejuar ekipet e UNRWA-s dhe punonjësit e tjerë mjekësorë të arrijnë fëmijët. Është një garë me kohën”, ka shtuar ajo. 

Izraeli dhe Hamasi, të cilët deri më tani nuk kanë mund të arrijnë një marrëveshje që do t'i jepte fund luftës, kanë thënë se do të bashkëpunonin për të lejuar suksesin e fushatës.

Zyrtarët e OBSH-së thonë se të paktën 90% e fëmijëve duhet të vaksinohen dy herë, me katër javë ndërmjet dozave, që fushata të ketë sukses, por ajo përballet me sfida të mëdha në Gaza, e cila është shkatërruar kryesisht nga lufta.

Ndërkohë, forcat izraelite po vazhdojnë të luftojnë kundër militantëve të udhëhequr nga Hamasi në disa zona në të gjithë enklavën palestineze. Banorët thanë se trupat e ushtrisë izraelite hodhën në erë disa shtëpi në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, ndërsa tanket vazhduan të vepronin në periferinë veriore të qytetit të Gazës, Zeitoun.