Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka vendosur Ushtrinë izraelite, Hamasin dhe Xhihadin Islamik Palestinez në listën e shkelësve të të drejtave të fëmijëve, ka raportuar “BBC”.
Këto tri palë, së bashku me palët ndërluftuese të Sudanit, janë veçuar për vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve.
“Janë vrarë dhe gjymtuar fëmijë në numra të paprecedentë”, sipas raportit të Fëmijëve në Konflikte të Armatosura.
Raporti vjetor ka për qëllim t’i turpërojë palët shkelëse, në mënyrë që ato të angazhohen në respektimin e masave të OKB-së për t’i mbrojtur fëmijët.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka thënë se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit ka shkaktuar shkelje të rënda në shkallë dhe intensitet të lartë, sidomos në Gaza.
“Fëmijët e bartin barrën e krizave në rritje, të cilat kanë shkaktuar shpërfillje të të drejtave të fëmijëve, e sidomos të drejtën për të jetuar”, ka thënë raporti.
Sipas raportit, konflikti në Gaza ka shkaktuar 155% rritje në ato që kategorizohen si “shkelje të rënda” kundër fëmijëve.
OKB-ja ka verifikuar më shumë se 8000 shkelje të rënda ndaj 4247 fëmijëve palestinezë dhe 113 fëmijëve izraelitë në vitin 2023.
Por verifikimi është duke vazhduar, me nevojën për t’i analizuar mijëra raporte për fëmijët e vdekur dhe të plagosur.
“Shumica e incidenteve janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese nga forcat izraelite në zonat e populluara”, thekson raporti.
I dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan ka thënë se ka qenë “i tronditur dhe i neveritur nga ky vendim i turpshëm”.
Hamasi dhe Xhihadi Islamik palestinez është vendosur gjithashtu në listë për vrasjen, lëndimin dhe rrëmbimin e fëmijëve.
Në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor, u vranë rreth 1200 njerëz, duke i përfshirë 38 fëmijë dhe u morën mbi 250 pengje, duke i përfshirë 42 fëmijë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se 36 mijë 731 njerëz janë vrarë nga ofensiva ajrore e tokësore e Izraelit në Gazë.